
Ministri Likaj: Vendimi për fillimin e mësimit varet nga situata epidemiologjike
Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASh), Ramë Likaj, gjatë takimit me drejtorë komunalë të arsimit, ka thënë se janë duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ai ka bërë me dije se fillimi i vitit të ri shkollor varët nga situata epidemiologjike.
“Vendimet tona janë të varura prej situatës epidemiologjike dhe prej rekomandimeve të Bordit Këshillues për Covid-19”, ka deklaruar Likaj.
Më tutje, Likaj ka theksuar se gjatë kësaj jave ka vizituar disa shkolla , për të parë nga afër përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Kam vizituar rreth 30 komuna, dhe së bashku me SBAShK-un, dje kemi vizituar edhe dy shkolla në Prishtinë. Gjatë javës së ardhshme do të vazhdojmë me vizita”.
“Vizitat kanë qenë pa paralajmërim, megjithatë ne e kemi gjetur një përkushtim të madh dhe një organizim dhe përgatitje shumë të mirë”, ka thënë Likaj, duke bërë me dije se kanë bërë shpërndarjen e materialeve mbrojtëse kundër Covidit për mbi 60 shkolla
“Kemi shpërndarë materiale mbrojtëse për rreth 66 shkolla, për mbi 2 mijë arsimtarë dhe për mbi 7 mijë nxënës të klasës së parë. Këto janë paketa për mësimdhënës dhe nxënës”, ka deklaruar ministri Likaj.