
Ministri Mbrojtjes sheh nga afër aktivitetet trajnuese të FSK-së
Në vazhdën e vizitave në njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka vizituar të enjten Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, me qëllim të informimit nga afër me të arriturat, zhvillimet, aktivitetet dhe sfidat e saj.
Në kazermën “Minatori” në Mitrovicë, ministrin Mehaj, i shoqëruar edhe nga zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi dhe komandanti i KFT-së, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, e priti zëvendëskomandanti i Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, major Ilir Beqiri.
Me takim dhe prezantim të veçantë, Major Beqiri e ka njoftuar ministrin Mehaj me informacionet e përgjithshme për strukturën organizative dhe operacionale, të arriturat e deritashme si dhe planet e njësisë për të ardhmen.
Për t’u njohur me procesin e integrimit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë në këtë njësi, ministri Mehaj ka takuar disa nga ta.
Në këtë takim, në formë bashkëbisedimi u diskutua për çështjet që ndikojnë në procesin integrues në FSK.
Në vazhdim, ministri Mehaj ka vizituar poligonet e stërvitjes taktike në Cërrnushë për të përcjellë nga afër demonstrimin e aktiviteteve trajnuese sipas planit paraprak të njësisë në operacione sulmuese të këmbësorisë, inxhinierisë luftarake si dhe operacione urbane.
Ministri Mehaj ka shprehur vlerësimin e lartë për punën, disiplinën dhe profesionalizmin e lartë të FSK-së.