Ministri Muja paralajmëron moratorium për tokat pyjore dhe bujqësore
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka theksuar rëndësinë strategjike të pyjeve për zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e qytetarëve, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve.
Muja ka bërë të ditur se do të vendoset një moratorium për ndërrimin e destinacionit të tokave pyjore dhe bujqësore, si pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen e burimeve natyrore në vend.
Ai gjithashtu paralajmëroi se do të inaugurohet një sistem i ri monitorimi dhe do të lëshohet një urdhër për inspektime të gjera në terren.
Sipas tij, inspektimet do të fokusohen veçanërisht në rastet e gurorëve, ku dyshohet për shfrytëzim jashtë parcelave të lejuara, si dhe në parqet kombëtare. Zona si Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna dhe Shala e Bajgorës janë identifikuar si “hotspot-e” të degradimit të pyjeve dhe do të jenë objekt i një programi intensiv inspektimi.
“Do të vendosim një moratorium për ndërrimin e destinacionit të tokës së pyjeve dhe tokës bujqësore. Ky sistem do të jetë i inauguruar. Do të lëshoj një urdhër inspektimi për të gjitha rastet, sidomos te gurorët, ku ne dyshojmë që ka eksploatim jashtë parcelave, si dhe në parqet kombëtare. Në Malet e Sharrit, në Bjeshkët e Nemuna dhe në viset e Shala e Bajgorës, ku janë hotspot-et e degradimit të pyjeve, do të lansohet një program intensiv i inspektimit. Pylltaria dhe mbrojtja e 44% të territorit të Kosovës, rreth 420 mijë hektarë pyje, do të jetë prioritet absolut gjatë këtij mandati,” u shpreh Muja.



