Ministri Mustafa në Sllovaki, flet për migracionin dhe luftën kundër krimit të organizuar

29 nëntor 2018 | 15:47

Në Bratislavë të Sllovakisë më 28 dhe 29 nëntor u mbajtën punimet e Forumit të Salzburgut.

Përveç anëtarëve, në forum morën pjesë edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe disa institucione të BE-së.

Fokusi kryesor i forumit u përqendrua në bashkëpunimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor me shtetet e BE-së në menaxhimin e flukseve të migrimit përgjatë “rrugës” së Ballkanit Perëndimor, si dhe në bashkëpunimin në luftimin e kontrabandës me narkotikë, armë dhe trafikimit me qenie njerëzore.

Republika e Kosovës u përfaqësua nga ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili të pranishmëve në forum iu adresua rreth temës së migracionit dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar.

Ministri Mustafa duke trajtuar çështjen e migracionit ka theksuar se Kosova ende nuk është prekur nga lëvizjet e mëdha të flukseve të migrimit, megjithatë ka përgatitur planin e detajuar të reagimit,i cili do të aktivizohet në rast se paraqitet ndonjë fluks i mundshëm.

“Për Kosovën është me rëndësi rritja e bashkëpunimit përmes shkëmbimit të informatave në mënyrë të drejtpërdrejtë me agjencitë e BE-së, por edhe me shtetet anëtare në mënyrë që të rritet efikasiteti i agjencive të zbatimit të ligjit për reagim proaktiv ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve”, ka thënë Mustafa.

Ai ka zhvilluar një takim bilateral me ministren e Brendshme të Republikës Sllovake, Denisa Sakova.

Në takimin u diskutua për bashkëpunimin bilateral në fushën e sigurisë, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Dy ministrat u dakorduan për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Importi i produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në…