
Ministri Peci: Për 9 vite nuk ishte aprovuar asnjë ligj në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se për nëntë vite me radhë në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, nuk ishte aprovuar asnjë ligj.
“Vetëm dje e sot, kaluan leximin e dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dy ligje bazike. Imagjinoni! Territori i Kosovës është mbi rreth 40 për qind i mbuluar nga pyjet dhe deri më tani nuk ka pasur vullnet politik që ky sektor shumë i rëndësishëm socio-ekonomik e ambiental të rregullohet me ligj adekuat”, ka shkruar Peci në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se në seancën e Kuvendit të enjten kaloi në lexim të dytë ligji për pyje.
“Ndërsa gjatë seancës së djeshme, kaloi leximin e dytë ligji për bujqësi dhe zhvillim rural i cili do ta rregullojë këtë sektor dhe do t’i shërbejë zhvillimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të bujqësisë si veprimtari”, ka thënë ministri Peci.