
Ministri Peci thotë se domatja e Kosovës kap tregjet ndërkombëtare
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se nga 72 mijë në 11 milionë euro, domatja e Kosovës kap tregjet ndërkombëtare.
“Në vitin 2021, eksporti i domates ishte vetëm 72 mijë euro. Në vitin 2024, ka arritur në 11 milionë euro! Një rritje e jashtëzakonshme që tregon suksesin e bujqësisë vendore dhe fuqinë e prodhimeve tona për të konkurruar jashtë vendit. Ndërsa në total, eksporti i perimeve është rritur me 66.9% krahasuar me periudhat e mëparshme të qeverisjes: 2017-2020: 24.7 milionë euro dhe 2021-2024: 41 milionë euro. Kjo është dëshmi që mbështetja për fermerët, investimet në infrastrukturë, serat moderne dhe qasja strategjike në tregjet e jashtme po japin rezultate reale. Kosova nuk është vetëm konsumatore, është prodhuese dhe eksportuese!”, ka shkruar Peci në “Facebook”.