Ministri Reka: MSA-ja ka vendosur Kosovën në procesin zyrtar për anëtarësim në BE

28 shkurt 2020 | 12:29

Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka mori pjesë në panelin për të diskutuar për raundin e radhës për Fondet e Para Anëtarësimit të BE-së, IPA III.

Gjatë këtij diskutimi u prezantua studimi: “Udhërrëfyesi për IPA III: Mësimet, risitë dhe hapat e ardhshëm”.

Në fjalën e ti ministri Reka, evidentoi proceset aktuale që Kosova është duke kaluar me agjendën evropiane ku në aspektin afatshkurtër prioritet i jepet pritjes së vendimit pozitiv të Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Gjithashtu, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ka vendosur Kosovën në procesin zyrtar për anëtarësim në BE.

Në këtë drejtim, e rikujtojmë kontributin e madh për periudhën e fundit financiare të BE-së 2014-2017, me ç‘rast Kosova ka përfituar 602 milion euro.

Ministri Reka po ashtu ritheksoi se, Qeveria e Kosovës e ka integrimin Evropian prioritet strategjik, si dhe bazuar në sondazhet paraprake rreth 90 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin anëtarësimin në BE.

“Qeveria e Kosovës shumë shpejtë do ta miratoj Programin Qeverisës dhe prioritetet e saja kyçe do të jenë në harmoni me agjendën evropiane. Kjo nënkupton që në koordinim me Delegacionin e BE-së në Kosovë, do të bëhet edhe hartimi dhe programimi i fondeve për IPA III, në mënyrë që të jenë në përputhje të plotë me Programin e Qeverisë”, ka thënë Reka.

Ky aktivitet u organizua nga Instituti EPIK dhe mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), në Europe House e cila financohet Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është marrë…