Ministri Selimi diskuton për Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje

07 dhjetor 2020 | 16:22

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi së bashku me zëvendësministrin njëherësh Koordinatorin Nacional Kundër Dhunës në Familje, Florian Dushi, dhe akterë të tjerë vendor dhe ndërkombëtar të sistemit të drejtësisë, sot kanë diskutuar për Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Ky diskutim është bërë në një takim të realizuar nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të fushatës së “16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, raporton “Epoka e re”.

Me këtë rast, ministri Selimi tha se Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë hapa të rëndësishme në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2010-2020, i cili trajton shërbimet për viktima edhe ndjekjen penale të kryesve të krimit.

“Viktimave iu duhet mbështetja për t’i pasur burimet dhe ndihmën për tu larguar nga marrëdhëniet e dhunshme. Kurse kryesit e krimit duhet ta dinë se sjellja e tyre ka pasoja. Me zbatimin e planit të veprimit, do të ndërmarrën hapa rrënjësorë për të siguruar mbrojtje dhe drejtësi për viktimat”, tha ministri Selimi.

Ministri Selimi ka përmendur të arriturat e Ministrisë së Drejtësisë në këtë fushë, siç janë: ndryshimet ligjore ku është përfshirë dhuna në familje si vepër e veçantë në Kodin Penal të Kosovës, krijimi i bazës së integruar të të dhënave për evidentimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe nënshkrimi i Memorandum Bashkëpunimit me Strehimoret e viktimave të dhunës në familje, për qasje dhe lehtësim në punësim të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje dhe viktimave të dhunës seksuale gjate luftës.

Gjatë këtij takimi, ministri Selimi tha se Kosova gjatë hartimit të politikave për mbrojtjen nga dhuna në familje është kujdesur që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të festave të fundvitit, Kompania Artmotion sjell ofertat…