Ministria e Arsimit ia shkëputë SBAShK-ut kontratën kolektive

22 nëntor 2022 | 15:43

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShTI) e ka shkëputur kontratën kolektive me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), e cila ishte nënshkruar më 22 janar të vitit 2021.

Në letrën e MAShTI-t drejtuar SBAShK-ut është thënë se kontrata kolektive është shkëputur njëanshëm nga Ministria e Arsimit, “bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, e për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

Kontrata kolektive në fjalë ishte nënshkruar nga SBAShK-u dhe Qeveria e Kosovës në 21 janar 2021, gjatë kohës kur kryeministër në detyre kishte qenë Qeveria e Avdullah Hotit.

Rrjedhimisht, sipas vendimit të ministres Arbërie Nagavci, kontrata nuk ka legjitimitet meqë në periudhën e nënshkruar është firmosur nga një ministër i një qeverie në detyrë.

“Kontrata kolektive e datës 22 janar 2021 e nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të SBAShK-ut dhe MAShTI (këtu e tutje referuar si: kontrata kolektive apo kontrata), përmes këtij njoftimi për shkëputje të kontratës kolektive (këtu e tutje referuar si: njoftimi) shkëputet njëanshëm nga ana e MAShTI-t, bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, e për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”, është thënë në letrën e Ministrisë së Arsimit, drejtuar SBAShK-ut.

Gjithashtu, MAShTI në vendim ka theksuar se qeverisë në detyrë Hoti i ka munguar edhe “autoriteti kushtetues për të ushtruar kompetencat përkatëse”, rrjedhimisht edhe për nënshkrimin e kësaj kontrate kolektive.

Në fakt, kontrata ishte nënshkruar 30 ditë pas vendimit të Kushtetueses, e cila e kishte dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Megjithatë, kontrata kolektive është nënshkruar me datën 21 janar apo 30 ditë pas shpalljes së njoftimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me rastin KO95/20 dhe 26 ditë para mbajtjes se zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës. Qeveria Hoti, të cilës, sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO72/20 i mungonte autoriteti kushtetutës për të ushtruar kompetencat përkatëse nuk ka pasur legjitimitet për të qenë palë në procedurë e rrjedhimisht, as të nënshkruajë kontratën kolektive me SBAShK-un”, është thënë në vendimin e Ministrisë së Arsimit.

Kontrata Kolektive i siguronte punëtorëve të arsimit mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për mësimdhënës, shpërblimin jubilar, kompensimin e shujtë dhe benefitet tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj…