
Ministria e Arsimit njofton maturantët: Nesër fillon aplikimi për Provimin e Maturës, bëhet në ‘e-Kosova’
Ministria e Arsimit i ka njoftuar maturantët se nga nesër (e martë) fillon aplikimi për provimin e maturës.
Aplikimi duhet të bëhet përmes platformës “online” “e-Kosova” dhe do të zgjasë deri më 10 qershor.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton maturantët se, nga dita e nesërme, 27.05.2025, do të filloj aplikimi për Provimin e Maturës. Aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova dhe do të zgjasë deri më 10.06.2025, ndërsa aprovimi i aplikimeve nga koordinatorët e shkollave do të bëhet nga 01.06.2025 deri më 11.06.2025”, ka njoftuar Ministria e Arsimit.
Kjo ministri ka treguar se “Provimi i Maturës Shtetërore 2025 në Kosovë është planifikuar të mbahet më 21 qershor 2025, kurse rezultatet do të publikohen më 30.06.2025”.
“Nxënësit që e kalojnë Provimin e Maturës do të mund të shkarkojnë certifikatën digjitale nga po e njëjta platformë”.
“Testi do të zhvillohet në një ditë të vetme dhe do të përfshijë katër lëndë: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe një lëndë me zgjedhje. Secila lëndë do të ketë nga 25 pyetje, me gjithsej 100 pyetje”, ka njoftuar Ministria e Arsimit.