
Ministria e Arsimit njofton për subvencionim të librave shkollorë për nxënësit shqiptarë nga rajonet jashtë Kosovës
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar prindërit nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, si dhe nga vendet tjera të banuara me shqiptarë, të cilët kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Republikës së Kosovës, kanë të drejtë të aplikojnë për subvencionim për tekste mësimore dhe materiale shkollore.
Sipas njoftimit të MAShT-it, qytetarët në Kosovë nga këto rajone, të cilët për shkak të mungesës së dokumentacionit nuk mund të kryejnë aplikimin përmes platformës “e-Kosova”, duke bërë me dije se kjo platformë është e ndërlidhur me regjistrin e personave me lejeqëndrim.
“Për të realizuar me sukses aplikimin, është e domosdoshme të plotësohen dy kushte: Numri i lejeqëndrimit të prindit aplikues duhet të jetë i ndërlidhur me numrin personal të fëmijës, të regjistruar në regjistrin civil. Në rast të mospërputhjes, prindi duhet të paraqitet në zyrën e gjendjes civile për të bërë ndërlidhjen e numrit personal të prindit me atë të fëmijës. Xhirollogaria bankare duhet të jetë në emër të prindit aplikues dhe e raportuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) me numrin personal të lejeqëndrimit. Pasi të jenë përmbushur këto dy kushte, aplikimi në platformën e-Kosova do të mund të realizohet me sukses. Për çdo paqartësi ose për ndihmë gjatë procesit të aplikimit, ju lutemi të kontaktoni institucionet përkatëse ose të vizitoni faqen zyrtare të MAShTI”, ka njoftuar MAShT.