Ministria e Financave: Dikush po tenton t’i mashtrojë pensionistët, me premtime për përfitime monetare

03 prill 2024 | 17:16

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se ditëve të fundit, zyrat e pensioneve janë duke i frekuentuar një numër i konsiderueshëm i pensionistëve, me kërkesa për vërtetime apo vendime që dëshmojnë se të njëjtit janë përfitues të pensioneve.

MFPT-ja ka njoftuar se sipas informatave që kanë siguruar, persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjithë qytetarët dhe përfituesit e skemave pensionale që informatat e qarkulluara nuk janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit.

“Andaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të kenë kujdes nga informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë që për theks kanë keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Po ashtu, ftojmë përfituesit e skemave pensionale që të kenë kujdes lidhur me dokumentacionin dhe autorizimin e bërë tek palët e treta, meqë mund të cenohet privatësia e të dhënave të tyre”, ka njoftuar MFPT-ja.

Po ashtu, lidhur me skemat pensionale dhe përcaktimin e shumës së pensioneve, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa të kursehen nga njoftimet dhe shërbimet tjera jo zyrtare, të cilat mund të bëhen për interesa private të personave të caktuar. “Ne do të sigurohemi që të shpërndajmë në kohë të gjitha informacionet e sakta lidhur me pensionet dhe çështjet me interes për pensionistët. Andaj, ju lutem që t’i referoheni njoftimeve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve si kanali i vetëm zyrtar në lidhje me këtë fushë”, ka njoftuar Ministria e Financave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë për të grumbulluar…