Ministria e Financave hap thirrjen për OJQ-të që mbështesin familjet e cenueshme me pako ushqimore

24 tetor 2025 | 11:39

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka shpallur thirrjen publike për organizatat joqeveritare që të aplikojnë për mbështetje financiare, me qëllim të ofrimit të pakove ushqimore për familjet në nevojë. Kjo nismë bëhet në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për familjet e cenueshme në Republikën e Kosovës.

Në njoftimin zyrtar të ministrisë është thënë se “në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për familjet e cenueshme, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se është hapur thirrja për organizatat joqeveritare që të aplikojnë për mbështetje financiare, e cila do të përdoret për ofrimin e pakove ushqimore për familjet në nevojë.”

Sipas MFPT-së, të drejtë aplikimi kanë organizatat që veprojnë në komunitete dhe që ofrojnë shërbime ndaj kategorive të cenueshme të shoqërisë. Organizatat duhet të dorëzojnë dokumentet e nevojshme që dëshmojnë aktivitetin dhe kapacitetet e tyre për zbatimin e projektit.

Dokumentet që duhet të bashkëngjiten janë:

Certifikata e regjistrimit të organizatës në Republikën e Kosovës;

Dëshmi mbi veprimtarinë e organizatës në mbështetje të kategorive të cenueshme;

Plani i aktiviteteve që përfshin kapacitetet shërbyese;

Numri potencial i familjeve përfituese;

Kostoja totale e pakove ushqimore (me kufi deri në 50 euro për pako);

Lista e produkteve që përmban një pako ushqimore me çmimet përkatëse, duke pasur parasysh se së paku 70% e produkteve duhet të jenë vendore.

MFPT ka bërë të ditur se aplikimet duhet të dërgohen me email në adresën [email protected]

deri më datën 7 nëntor 2025.

Në përfundim të njoftimit, ministria thekson se kjo masë synon të lehtësojë gjendjen e familjeve që përballen me vështirësi ekonomike.

“Përmes kësaj thirrjeje, Ministria synon të mbështesë drejtpërdrejt familjet në nevojë, duke garantuar që ndihma ushqimore të arrijë tek ata që kanë më së shumti nevojë”, ka njoftuar MFPT-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas Barcelonës edhe disa skuadra tjera janë futur në garë…