Ministria e Jashtme e Kosovës kërkon që Peter Handkesit t’i merret Nobeli

11 tetor 2019 | 16:58

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë për ndarjen e Çmimit ‘Nobel’ shkrimtarit austriak Peter Handke, përkrahësit të Sllobodan Millosheviqit, të akuzuarit për gjenocid e krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe njësi të tjera të ish-Jugosllavisë.
Përmes një reagimi për medie, MPJ-ja ka kërkuar nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi.

“Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave, institucion me renome botërore, ndan çmimin prestigjioz Nobel për fusha të ndryshme bazuar në vlerësimin profesional, moral dhe etik. Mirëpo, neve gjykojmë që kësaj radhe çmimi i është dhënë njeriut të gabuar – mohuesit të gjenocidit. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës kërkon nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi një njeriu që mund të jetë gjenial si shkrimtar, por që në jetën publike është treguar mohues i të drejtave të njeriut duke dalë publikisht në anën e dikujt që më pas vdiq në Hagë si i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte”, është thënë në reagimin e MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po ashtu iu ka bërë thirrje edhe institucioneve relevante botërore, akademive shkencore dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ngrehin zërin e tyre dhe të shprehin kundërshtimin me vendimin e Komitetit të Nobel-it.

“Emri i Petar Handke në Kosovë është sinonim i së keqes, mbështetës i një pushteti shovinist. Çmimet që i ndahen një njeriu të këtillë zhvlerësojnë përpjekjet e shoqërive demokratike për një botë paqedashëse. Nuk e nderojnë asnjë institucion akademik, as Akademinë Suedeze. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Kapitulli II, Të Drejtat dhe Liritë Themelore, Neni 21, Pika 3 thuhet: Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Prandaj, bazuar në Kushtetutën tonë, populli i Kosovës të paktën, nuk mund të ketë respekt për veprën e z.Handke, dhe ndjehet i fyer që çmimi iu nda njeriut që dikur ia uronte ferrin”, është thënë në reagimin e MPJ-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në…