Ministria e Mbrojtjes nuk ka informata për dronin “Skifteri K1”, videoja e publikuar gjasa të mëdha të jetë artificiale
Pronari i kompanisë “Miga Skyshield”, Muhamet Ajrullahu, ka konfirmuar testimin e një droni vetëvrasës me rreze veprimi deri në 1 mijë kilometra, por pa dhënë detaje për lokacionin e testimit, duke u thirrur në arsye sigurie.
Në një përgjigje për Koha.net, Ajrullahu ka deklaruar se testimi është kryer nga një klient dhe se droni ka qëndruar në ajër mbi shtatë orë, duke goditur cakun pas manovrimeve mbi 1,100 kilometra.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se nuk disponon informata për prodhimin, lejet apo procesin e testimit të dronit kamikaz “Skifteri K1”, duke theksuar se gjatë vizitave të mëhershme në këto kompani janë prezantuar vetëm dronë komercialë.
Dyshime për mungesë transparence kanë ngritur edhe burime të sigurisë dhe analistë, ndërsa sipas aplikacionit “Hive Moderation”, videoja e publikuar për testimin ka 99 për qind gjasa të jetë e gjeneruar me inteligjencë artificiale.



