Ministria e Mbrojtjes shpall konkurs për pranimin e 6 mjekëve në FSK

15 maj 2026 | 22:49

Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkurs për pranimin e gjashtë mjekëve të përgjithshëm në Regjimentin e Mjekësisë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas njoftimit nga kjo ministri, afati i aplikimit është deri më 25 maj 2026.

Kandidatët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë diplomë universitare në mjekësi të përgjithshme dhe licencë profesionale të vlefshme. Po ashtu, kërkohet që aplikuesit të jenë mbi 18 vjeç dhe jo më të vjetër se 30 vjeç në ditën e mbylljes së konkursit.

Procesi i përzgjedhjes do të përfshijë testin me shkrim, intervistën dhe ekzaminimin mjekësor. Testi me shkrim do të ketë peshën 70 për qind, ndërsa intervista 30 për qind.

Në konkurs theksohet se kandidatët duhet të kenë gjendje të mirë shëndetësore dhe fizike, të mos jenë të dënuar për vepra penale dhe të kenë figurë të pastër.

Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshijnë diplomën universitare, licencën profesionale, ekstraktin e lindjes, certifikatën nga gjykata që kandidati nuk është i dënuar dhe nuk është nën hetime, kopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe fotografinë për aplikim elektronik.

Pas pranimit në FSK, kandidatët e përzgjedhur do të ndjekin Stërvitjen Ushtarake Bazë për Specialistë (SUBS), ndërsa pas dy viteve shërbim do të kenë mundësi të vazhdojnë specializimin e ofruar nga FSK-ja.

Aplikimi bëhet online në platformën zyrtare të rekrutimit të FSK-së, ndërsa detaje shtesë mund të gjenden edhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas…