
Ministria e Mjedisit anulon një tender, Durmishi: I shpëtuam 22 milionë euro
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-së), Hysen Durmishi, ka bërë me dije të martën se kanë anuluar tenderin për mirëmbajtën verore dhe dimërore për rrugët rajonale e nacionale.
Sipas Durmishit, me anulimin e këtij tenderi ministria i ka shpëtuar buxhetit të Kosovës 22 milionë euro.
Ai ka theksuar se me hapjen e konkursit të ri, rrugët do të rregullohen në mënyrë cilësore. “Kemi anuluar tenderin mirëmbajtja verore dhe dimërore për rrugët rajonale e nacionale që kishte një vlerë prej 44 milionë euro. Ai ka pasur një kornizë që në fund të rritej në 47 milionë euro. Në javën e kaluar kemi hapur konkursin e ri, ku do të jetë një kontratë njëvjeçare me çmim fiks. Kemi inkorporuar produkte të reja që vijnë për herë të parë në mënyrë që të rrisin cilësinë dhe sigurinë në komunikacion. Nëse llogaris në fund i kemi shpëtuar rreth 22 milionë euro duke kursyer kështu buxhetin e shtetit”, ka thënë Durmishi në një konferencë për medie të martën.
Më tutje, Durmishi ka folur edhe për shpronësimet në vend për të cilat ka thënë se do të ndajnë buxhet shtesë për t’i përfunduar. “Çështja e dytë ka të bëjë më shpronësimet. Kemi shumë probleme në realizimin e shumë kontratave për moskryerjen e shpronësimit me kohë. Kemi kredi e kontrata ndërkombëtare dhe çdo vonesë tregon dëmtim të buxhetit. Janë shpallur shumë kontrata pa një analizë paraprake se si do të bëhen pagesat. Ka shumë vendime që kanë kaluar afatin dyvjeçar dhe shumë vonesa shkaktojnë pagesa me kamatë. Rruga nga Prishtina e deri te rrethi QMI nuk ka fare laborat shpronësimi dhe tashmë ka vendime të gjykatave që po vijnë për shpronësimet që fillimisht nuk ka pasur. Kësisoj janë 12 rrugë në Kosovë. Ne duhet ta rrisim buxhetin për shpronësime”, ka thënë Durmishi.