Ministria e Shëndetësisë thotë se po bën përkushtim të vazhdueshëm në luftën kundër duhanit

30 maj 2025 | 11:55

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore kundër Duhanit, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka mbajtur konferencë për medie.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, i cili tha se 31 maji shënon Ditën Botërore pa Duhan, një moment reflektimi dhe veprimi për të adresuar një nga sfidat më serioze të shëndetit publik – përdorimin e duhanit dhe ndikimin e industrisë së tij në politikat dhe shëndetin tonë kolektiv.

Po ashtu, ministri në detyrë Vitia tha se kontrolli i duhanit është sfidë komplekse jo vetëm për Kosovën, por kudo në botë. Megjithatë, sipas tij, përkundër sfidave, rezultatet nuk kanë munguar.

“Nga të arriturat e prekshme pa dyshim është edhe miratimi dhe zbatimi i Udhëzimit Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara Shëndetësore në pakot e duhanit, që shënon një prej masave më të rëndësishme në edukimin vizual të konsumatorëve për dëmet shkatërruese të konsumimit të duhanit. Zbatimin e ligjit e ka bërë më të lehtë fuqizimi i kapaciteteve inspektuese, përmes rekrutimit të rreth 30 inspektorëve të rinj shëndetësorë. Gjithashtu, rritja e akcizës në 65 euro për kg, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është një tjetër sinjal që politikat fiskale po japin efekt”, tha ministri Vitia.

Tutje, ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë është duke punuar për përditësimin dhe fuqizimin e kornizës ligjore dhe mbrojtjen nga ndikimi i industrisë përmes Projektligjit të ri gjithëpërfshirës, duke adresuar çështjen e produkteve të reja të duhanit dhe produkteve të ndërlidhura që nuk janë të rregulluara mjaftueshëm me ligjin ekzistues.

Ndërsa, përfaqësuesi i Qendrës për Avokim dhe Zhvillim, Arben Lila, me rastin e shënimit të Ditës Botërore Pa Duhan, tha se janë bashkuar për të dërguar një mesazh të fuqishëm dhe të përbashkët: Të mbrojmë të rinjtë nga ndikimi i industrisë së duhanit dhe të ndërtojmë një të ardhme të lirë nga varësia ndaj nikotinës.

“Kosova nuk qëndron jashtë këtyre zhvillimeve, prandaj KADC, me mbështetjen e partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka iniciuar fushatën gjithëpërfshirëse: ‘T’i heqim Maskën Ndikimit – Të rinjtë për një të ardhme pa duhan’. Përmes kësaj fushate, të rinjtë janë angazhuar në monitorimin e përmbajtjes digjitale të industrisë së duhanit, kanë ndarë gjetje përmes sfidës #ZbulojeTaktiken, dhe po ndihmojnë në ndërtimin e një presioni pozitiv publik për ndryshim të politikave”, tha Lila.

Po ashtu, përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, dr. Faik Hoti, shtoi se IKShPK-ja, përmes kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore, siguron bazën shkencore dhe praktike për politikat kundër duhanit në vend.

Prandaj, në këtë drejtim, IKShP-ja prodhon të dhënat zyrtare mbi përdorimin e duhanit – përmes studimeve si GYTS 1 dhe GYTS 2 si dhe STEPS 2011 dhe 2019, përmes të cilave ka dokumentuar rënien e prevalencës së përdorimit të duhanit nga 28.4% (2011) në 25.7% (2019), që tregon një progres të konsideruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka zhvilluar një vizitë…