Ministrja e Jashtme jep detaje për takimin Kurti-Gërvalla-Merkel

14 shtator 22:00

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla morën pjesë sot në takimin e organizuar nga kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë Angela Merkel, me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

Në këtë takim u diskutua për sfidat dhe të ardhmen e rajonit duke u përqendruar në proceset që lidhen me integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

“Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, zhvilluan edhe një takim të veçantë me kancelaren gjermane Merkel ku folën në detaje për partneritetin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Në kuadër të këtyre diskutimeve u theksua se procesi i Berlinit është alternativa kryesore për integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Pala kosovare theksoi se nevoja e përfshirjes së BE-së në iniciativa rajonale është e domosdoshme për rajonin. Gjatë diskutimeve për çështje rajonale u bisedua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë. Në këtë drejtim pala kosovare bëri të ditur qëndrimin e vet, duke bërë të qartë se Kosova “nuk kthehet para vitit 2008”, kur është fjala tek relacioni me Serbinë dhe tek e ardhmja e marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka njoftuar MPJD-ja.

“Gjithashtu përqafimi i vlerave evropiane u vlerësua tejet i nevojshëm për paqen dhe sigurinë në rajon. Në këtë drejtim u specifikua sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, demokratizimi, ballafaqimi me të kaluarën e reciprociteti i të drejtave të pakicave.  Gjatë takimit me kancelaren Merkel, pala kosovare shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë të popullit dhe qeverisë së Kosovës ndaj angazhimit dhe mbështetjes së Gjermanisë në përgjithësi dhe në veçanti të znj. Merkel në momentet vendimtare për Kosovën”, është thënë ndër të tjera në këtë njoftim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hendbollisti Drilon Tahirukaj është larguar edhe zyrtarisht nga Besa Famgas.…