
Ministrja e Shëndetësisë vizitoi ekipet e vaksinimit në sallën ‘1 Tetori’
Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku ka vizituar sot ekipet e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku përveç vaksinimit kundër Covid-19 po realizohet dhe vaksinimi kundër gripit sezonal.
Ministrja Gexha-Bunjaku ka shprehur vlerësimin e lartë për punën e çmuar të profesionistëve shëndetësorë në këtë kohë të pazakontë, ndërkaq theksoi se derisa përballemi me variantin shumë ngjitës Delta të Covid-19, ndryshimi nuk do të vijë nëse nuk punojmë të gjithë së bashku për t’u vaksinuar dhe inkurajuar njëri tjetrin për vaksinim.
Më pas, ministrja Gexha-Bunjaku ka vizituar repartin e Pediatrisë të spitalit të përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”, ku u takua me stafin shëndetësor të Spitalit, të cilët i falënderoi për mikpritjen dhe angazhimin e tyre të përditshëm, dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me prindërit rreth imunizmit të fëmijëve me vaksinën anti-Covid, tash kur është aprovuar rekomandimi i Komitetit të Imunizimit kundër Covid-19 për vaksinimin e fëmijëve 12 – 15 vjeç, sepse, sipas saj, në këtë mënyrë mbrojnë shëndetin e tyre dhe të komunitetit.