
Ministrja Gërvalla pa avokat, dështon gjykimi ndaj saj për mosraportim të pasurisë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë, për shkak se e njëjta nuk kishte të angazhuar avokat.
Gjykatësi Adnan Kamberi, ka njoftuar të akuzuarën se për shkak të denueshmërisë së veprës duhet që e njëjta të angazhojë avokat personalisht, ose në të kundërtën mund t’i caktojë avokat edhe gjykata sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë e akuzuara Gërvalla ka deklaruar se për shqyrtimi e radhës do të angazhojë me autorizim një avokat.
“Nuk kam avokat dhe do të angazhojë avokat me autorizim”, ka thënë Gërvalla.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore gjykatësi Kamberi ka nxjerr aktvendim me të cilin ka shtyrë seancën e sotme, ndërsa lidhur me seancën e radhës, ka bërë me dije se palët në procedurë do t’i njoftojë përmes ftesës.
Prezent në seancë ishte prokurorja e shteti Luljeta Bilalli si dhe përfaqësuesja nga Agjencisë Kundër Korrupsionit, Lendita Ademi.
Në lidhje me përmbajtën e aktakuzës e njëjta nuk ishte e qasshme pasi që seanca e shqyrtimit fillestar ka dështuar dhe për këtë “Betimi për Drejtësi” ka dërguar edhe kërkese për qasje në dokumente zyrtare pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë që e njëjtat të jetë e qasshme edhe për publikun.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj të këtij viti ka konfirmuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.
Pasi është bërë me dije lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.
Gërvalla nuk e ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) biznesin në Gjermani si dhe nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.