
Ministrja Hajdari sot mban konferencë për heqjen e tarifës
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari, sot mban konferencë për media rreth shpjegimeve për urdhëresën e re për bizneset sa i përket trajtimit të situatës nga koronavirusi si dhe për heqjen e tarifës për lëndën e parë nga BiH dhe Serbia. Konferenca mbahet në orën 11:00 në objektet e ministrisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që nga sot të hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Po sipas këtij vendimi, detyrohen Ministria e Financave dhe Transfereve, Dogana e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante të zbatojnë këtë vendim në përputhje me legjislacionin në fuqi. Gjithashtu, në vendimin e djeshëm të qeverisë është bërë me dije se “deri më 1 prill 2020 qeveria do të nxjerrë vendim për t’i shfuqizuar vendimet nr. 01/76 të 21 nëntorit 2018 dhe 06/82 të 28 dhjetorit dhe për të vendosur masa të reciprocitetit të plotë në marrëdhëniet me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në të gjitha çështjet”.