Ministrja Haradinaj, ftesë Arifit për trajtim mjekësor në Kosovë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka biseduar sot përmes telefonit me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, pasi ky i fundit bëri me dije se ndodhet për trajtim në spitalin e Nishit për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Haradinaj-Stublla i ka dëshiruar shërim sa më të shpejtë kryetarit Arifi, duke thënë se ai e ka derën e hapur për trajtim të sigurt mjekësor edhe në Kosovë.
“Bisedova shkurt me kryetarin e Preshevës, bashkëkombësin e mikun Shqipërim Arifi. I dëshirova shërim të shpejtë, me shpresën se po merr kujdesin e duhur shëndetësor në Serbi. E sigurova që në çdo moment e ka derën hapur për trajtim të sigurt edhe në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në “Twitter”.
Kryetari i Preshevës sot ka bërë me dije se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, pavarësisht se testi për Covid-19 kishte rezultuar negativ.



