Ministrja Haxhiu proteston para ministrisë që drejton, përkrah protestuesit

26 gusht 2021 | 13:39

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në protestën që është organizuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë në njoftimin për medie ka treguar se qëllimi i pjesëmarrjes së ministres Haxhiu në këtë protestë ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve.

 

Njoftimi i plotë i ministrisë së Drejtësisë:

 

Jemi bashkë në betejën për drejtësi e barazi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte e pranishme sot fizikisht në protestën e organizuar pranë Ministrisë së Drejtësisë. Qëllimi i pjesëmarrjes së ministres Haxhiu ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve.

Vrasja e Marigonës na e shpërfaqë  papërgjegjësinë institucionale përball kryerësve të veprave penale. Kjo vrasje është alarm për shoqërinë por edhe për secilin institucion, prandaj do të ndërmerren veprime serioze dhe urgjente.

Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë neglizhuar raste të tilla të dhunës çka ka stimuluar që sjellje të tilla në vendin tonë të mos ndalen.

Janë shumë jetë të humbura e së fundi kemi rastin e Marigonës. Ne do të angazhohemi që të ketë drejtësi dhe dënim meritor për kriminelët.

Parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe ngacmimeve seksuale është njëra nga prioritetet e Ministrisë se Drejtësisë.

Ne do të angazhohemi në parandalimin e rasteve të çfarëdo lloji të dhunës. Vetëm me një gjyqësor të drejtë ku nuk lirohen të fuqishmit, por mbrohen viktimat, ne do të arrijmë një shoqëri të sigurtë e të barabartë

Nuk duhet të kemi më thirrje të humbura, raportime pa veprim, veprime me vonesa, vonesa të kushtueshme me jetë njerëzish. Vrasja e Marigonës është pasojë e papërgjegjësisë institucionale prandaj revolta qytetare është e drejtë. Transformimi i organeve të drejtësisë me qëllim të vënies në nivel të përgjegjësisë dhe profesionalizmit është detyrë e domosdoshme.

Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Askush nuk do të jetë mbi ligjin. Ky është përkushtimi ynë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 25 gusht rreth…