Ministrja Hoxha kërkon zbatimin më të shpejt të reformave për MSA-në
Në Mbledhjen e Qeverisë, të kryesuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka paraqitur për miratim në parim nismën për lidhjen e marrëveshjes financiare trepalëshe në mes të Bashkimit Evropian, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2018, për Programin e Bashkëpunimit ndërkufitar për IPA, si dhe paraqiti Ekspoze mbi zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) gjatë periudhës janar – mars 2019.
Sa i përket nismës për marrëveshje, ministrja Hoxha ka theksuar se kjo marrëveshje do të mundësojë rritje të përfitimit nga fondet e IPA-s për bashkëpunim ndërkufitar në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Marrëveshja mundëson zbatimin e programit të bashkëpunimit ndërkufitar mes dy vendeve në kuadër të alokimit të fondit IPA për vitin 2018, në fusha si mbrojtja mjedisore, turizmi, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tregtia dhe investime”, ka thënë Hoxha.
Pas miratimit të kësaj nisme, do të vazhdojnë konsultimet me Komisionin Evropian, për nënshkrimin e marrëveshjes në kohën e paraparë. Nisma u miratua njëzëri në kabinetin qeveritar.
Lidhur me PKZMSA-në, ministrja Hoxha ka potencuar se programi për vitin 2019 ka paraparë 401 masa afatshkurta, prej të cilave 160, ose 39.9 për qind e tyre, janë masa legjislative, ndërsa 241 masa, ose 60.10 për qind e tyre, janë masa zbatuese.
Ajo ka shtuar se shkalla e përgjithshme e zbatimit të Programit gjatë periudhës raportues janar – mars 2019 është 5.99 për qind, pasi që 24 nga 401 masa të planifikuara janë zbatuar plotësisht, ndërsa nga këto 24 masa të zbatuara, 12 janë zbatuar para afatit të planifikuar.
Sa i përket shkallës së zbatimit të masave të planifikuara për t’u zbatuar brenda tremujorit të parë, 30 për qind e masave, janë zbatuar plotësisht, 70 për qind e masave nuk janë zbatuar plotësisht pasi përballen me vonesa serioze.
Shkalla e zbatimit të masave legjislative të planifikuara për t’u zbatuar brenda tremujorit të parë, të gjeturat tregojnë si në vijim: 25.81 për qind e masave, janë zbatuar plotësisht, 74.19 për qind e masave, akoma nuk janë zbatuar plotësisht, pra përballen me vonesa serioze.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka zbatuar masat 100 për qind, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, 80 për qind, Ministria e Punëve të Brendshme ka zbatuar 50 për qind, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, 42.11 për qind, Ministria e Administratës Publike, 25 për qind, ndërsa tetë ministri e kanë pasur nga një masë, të cilën nuk e kanë zbatuar.
Sipas të gjeturave, ministrja Hoxha ka potencuar edhe reformat kyçe të planifikuara që nuk janë zbatuar: 17 akte nënligjore, dy projektligje, një strategji, një koncept dokument dhe projekt kodi doganor dhe akcizave.
Masat zbatuese të planifikuara për t’u zbatuar brenda tremujorit të parë, të gjeturat tregojnë si në vijim: 44.44 për qind e masave, janë zbatuar plotësisht, 55.56 për qind e masave, akoma nuk janë zbatuar plotësisht, pra përballen me vonesa serioze.
/Epoka e re/



