Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari dhe të tjerët dalin sot para gjykatës

13 janar 2026 | 08:36

Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuarve të tjerë, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.

Seanca do të mbahet me fillim nga ora 09:30.

Kjo seancë ishte paraparë të mbahej më 10 dhjetor, por që kishte dështuar meqë Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 11 nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon atë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të pandehurit Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe dhe Hafiz Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.

Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit Ridvan Muharremi.

Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.

Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të përballjes me situatën e krijuar nga vërshimet…