Miratohet në komision projektligji për buxhetin 2026, kërkohet rritje për pensionet dhe mbështetje për autizmin
Me diskutime të shumta, me 6 vota “për”, 0 kundër dhe 1 abstenim kaloi projektligji për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës të vitit 2026 nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione.
Nënkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami theksoi se shmangia e buxhetit në Kuvend ka shkaktuar kufizim. “Sa i përket buxhetit, ne si deputetë që po zgjidhemi për herë të parë, jemi duke bërë të njëjtën fushë gjërash në këtë proces. Besoj që në këtë rrugë ka kaluar secili prej jush para nesh. Edhe ne e kemi shqyrtuar buxhetin; e di prej praktikave të mëhershme parlamentare që një periudhë e rishikimit dhe analizës së buxhetit në të kaluarën ka qenë më e madhe. Mirëpo kjo shmangia që është bërë në Kuvend neve na kufizon dhe kemi një hapësirë shumë të limituar, që po ashtu na limiton për të dhënë vërejtje përmbajtësore. Këto nuk janë vërejtje kundër dikujt, por fusha që mbulojmë do të jepte zgjidhje. Ne e kemi parë këtë buxhet. Natyrisht që do të ishte shumë mirë që të gjitha organizatat që ndikohen nga buxheti dhe që ndërlidhen me të drejtat e njeriut t’i kishim këtu në këtë komision për t’i dëgjuar edhe nevojat e tyre. E di që ata mund t’i parashtrojnë përmes shkrimit, por diskutimet e tilla do të peshonin më shumë për përmbajtje. Meqë nuk kemi këtë kohë, ne i kemi parë disa gjëra për të cilat duhet të ketë përmirësime dhe ne do të propozojmë disa amendamente, varësisht prej afateve kohore që janë përcaktuar. Për sa i përket sot, unë i kam dy tema që më shumë hyjnë në fusha dhe rubrika të tjera që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, për të cilat besoj që flasim më vonë”, tha Behrami.
Anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj pati pyetje për thirrjen e këtij Komisioni.
Anëtarja e Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Sala Jashari pati një kërkesë për formulimin e një amandamenti rreth pensionëve të kategorive të ndryshme.
“Është e vërtetë që buxheti i Kosovës ka ardhë shumë shpejt, është votuar shumë shpejt, edhe ne si deputetë të rinj e kemi pasur pak të vështirë që t’i mbulojmë për vetëm dy ditë më shumë se 700 faqe të buxhetit. Por megjithatë, çka mund të vërehet edhe çka kisha dashtë me pas bashkëpunimin e juaj, është në rast të pensioneve. Nëse keni mujt me vërejt që pensionet e veteranëve, të pensionet e pleqërisë, njëkohësisht të personave me aftësi të kufizuara, e të tjerë, edhe ato të verbër, janë të larguara nga paga minimale e Kosovës. Tash ne e dimë që është rritë paga minimale deri në 425 euro, ndërsa këta ende kanë një pension prej 170-180 eurove. Sa është e mundshme që ne së bashku si komision ta krijojmë një amendament përmes të cilit e kërkojmë që të ketë rritje, të paktën, sepse ne e dimë që në ditët e sotme është shumë e vështirë që të kalohet muaji me 170 ose 180 euro për një familjar që nuk ka ndihma të tjera nga familja ose në rrethana të ndryshme. Kështu që, nëse kishim mujt me pasë një bashkëpunim në lidhje me këtë, ne kemi kohë besoj deri nesër në ora 12:00 në qoftë se dëshirojmë që ta dërgojmë një amendament së bashku si komision“, tha Jashari.
Albana Bytyqi, anëtare nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pati një kërkesë për themelimin e një amandamenti tjetër.
“Unë nuk po shoh diçka që duhet me votu këtë buxhet për shkak se neve na vyjnë disa amendamente me i përgatit. Unë, për shembull, kisha dashtë si komision i përbashkët me i përgatit, përveç deputetit Jashari që e tha atë amendament që plotësisht pajtohem që duhet me përgatit. Mirëpo kisha dashtë edhe një amendament tjetër me përgatit për personat me autizëm, të cilët janë personat e vetëm të cilët nuk marrin asgjë edhe që kanë nevojë për asistencë sociale. Kështu që këta persona janë shumë të neglizhuar. Kisha dashtë që si komision ta përgatisim një amendament edhe të thirrim pas dy ore, tri ore, ne jemi këtu në Kuvend edhe mundemi tani me diskutu edhe për amendamentet edhe për me votu buxhetin e Kosovës. Kështu që për momentin kisha dashtë, përveç konstituimit të komisionit, nuk kisha dashtë diçka tjetër me vazhdu si rend dite prej meje.”
Anëtari i Komisionit, Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje tha se së pari duhet shqyrtuar pika e rendit të ditës derisa pati ndërhyrje nga anëtarja e AAK-së, Albana Bytyqi.
“Jemi në një pikë shumë të rëndësishme. Jemi në një pikë të shqyrtimit të buxhetit, buxhet i cili është derivat i vendimit të seancës së fundit. Dhe ju lutem diçka, afatet e përshpejtuara, me shumicë votash, ku na detyrojnë neve me shqyrtu edhe me dhënë aprovim ose jo këtij buxheti. Tash, diskutimet e tjera, veçanërisht temat e ndjeshme siç i përmendi kolegja, sa kanë të bëjnë me ligje të ndryshme, jam i gatshëm në çdo etapë, jam i gatshëm t’i shikojmë, t’i mbikëqyrim si komision, t’ia gjejmë ngecjet. Mirëpo sot, me ndryshimin ligjor dhe propozimin jashtë rendit të ditës, mundemi me ndryshu diçka, por buxhetin, ju kisha lut, propozimet eventuale ose amandamentet kanë pasë afatin deri këtu. Janë afate të përshpejtuara, nuk po i imponoj procedurat, po ju lutem, ne jemi komisione të tjera për çështje të njëjtë. As në komisionet e tjera nuk ka pasë tejkalim. Rendi i ditës u aprovua. Tema më vete: Buxhetin, nëse ka dikush të propozuara, të dorëzuara, ndonjë amandament, e mirëpres me e shqyrtu, me i dhanë kohë, po jo tema të tjera.
Unë jam i interesuar sepse buxheti në procedurë të shpejtë, po me respektin e veçantë për mënyrën se si thotë kolegia, është buxhet, ka ardhur shpejt. Jemi në muajin e fundit, ditët e fundit të mundësisë me e shqyrtu këtë buxhet. Pikërisht atëherë i kap të gjitha kategoritë, jo ato të diskriminuara, ndoshta me të drejtë, se jam pjesë e zërit të asaj që duhet të ndryshojmë ligjin. Po sot jemi te buxheti, linjat e kodit buxhetor t’i shikojmë. Nëse s’e kemi amandamentin, sepse keni parasysh diçka: Ne nuk po shohim kopje fizike, e kemi në email ose ato privatë. Kompjuterat dhe emailat zyrtarë janë në proces, në procedurë. Mundemi me u bë të vetëdijshëm, secili prej nesh nuk e kemi shqyrtu mjaftueshëm. Në afatet e tjera. Sot, Albana, ti don me diskutu, po as nuk po më ndërhyn, nëse nuk ke arsye. Nuk e ke lexu buxhetin, nuk i ke amandamentet e gatshme dhe do me kalu afatin ligjor? Ne e shpërfillim veç këtu me përgjegjësi, me përgjegjësi profesionale jam duke fol. Faktet e deritashme: Ne e kemi sot për shqyrtim dhe aprovim buxhetin. Kompensimi i seancës, po kolegu e ngriti këtë çështje, a ka apo s’ka? S’kemi amandamente të reja. E mbështesim propozimin e buxhetit aktual. Keni parasysh diçka për ministrinë përkatëse që kolegja e ngriti si çështje, po nuk është në këtë buxhet sepse ministria, siç është kritikuar me të drejtë në seancë, nuk e ka vetë linjën buxhetore. Kanë me u rishiku në buxhet. Domethënë autoriteti i ri menaxhues, ministri dhe kabineti e kanë të improvizuar për me startu, por jo për me plotësu, aq më pak mandatin. Por as vitin, deri në rishikim është. O zoti ministër, që rishikimi do të vijë, secila prej kërkesave tona në seancat, në mbledhjen e radhës, me çfarëdo kërkese kemi me e shqyrtu. Kemi me kërku ministrin në raportim edhe kemi me kërku përgjigje me shkrim a ka buxhet për kategorinë e veçantë.
Sepse ndarja, po jua kthej në kujtesë, e veteranëve, më falni, përfituesve të skemave, beneficioneve, është ndarë nga ligji për pagën minimale. Ende nuk ka ecë në këtë mandat, kemi për obligim me e shty këtë ligj. Dhe pse me minimale? Duhet të jenë kategori të privilegjuara në shoqëri, ato sidomos me vlerat për luftën dhe për vlerat e jetëgjatë që i ka Kosova.
Ama jo me mendu e me thonë: “duhet me e shty ligjin”. Ne po biem që po ndërhyjmë në ligje po shtyjmë me buxhet sot. Që po e marr të mirëqenë kërkesën e kolegut: Cila është limiti buxhetor për këtë kategori? Sa është koeficienti i pagesës së tyre? Këto nuk janë çështjet tona, do t’ia kërkojmë ministrisë përkatëse.
Mbajeni për fjalë, se është për mua me interes edhe për shoqërinë që këto ligje t’i shqyrtojmë. Ky komision kemi me i mbikëqyr, kemi me ia gjet defektet, duhet me u kriju një komision i grupit të punës. Neve na takon si komision për me arrit te përfundimi, me i taku këto kategori, veçanërisht këto që i përmendi kolegu (luftës) dhe pastaj konkluzat e takimeve dhe gjetjet te ligji, i bëjmë propozime për ndryshim. Unë i nënshkruaj kërkesat për ndryshime ligjore. Tash zotëri, se çdo gjë ka ardhur këtu, janë ligje të vjetra, nuk janë të mandatit as tash as të paraprakut. Kanë disa, më shumë se 10 vite. Prandaj ndryshimet janë të domosdoshme, qoftë edhe veç amandamentime, qoftë edhe veç për pagesë, ama të ndahet ligji prej buxhetit. Unë, nëse s’ka dikush amandament, që e dëgjoj, me kërkesën: nga vjen linja buxhetore dhe për kë destinohet dhe si gjendet linja buxhetore, unë jam me propozimin me të gjithë votat me kalu, se kemi mbetë vonë“, tha Zyba.
Pika e rendit të ditës ka qenë: Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.



