Miratohet projekti për ndërtimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër

23 janar 2018 | 11:08

Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) në Shqipëri i kanë dhënë zgjidhje plagës kryesore të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, pas miratimit të projektit për restaurimin e saj, në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Vendimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve është marrë pas shqyrtimit në të projektit “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit, Shkodër”, i cili është hartuar nga studio “Ecolimarlik”, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi.

Për këtë projekt Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me Ambasadën e Turqisë dhe Agjencinë turke “TIKA”, duke njohur vështirësinë e ndërhyrjes në një sit të tillë që pëson rregullisht përmbytje nga lumi, por edhe nga uji i reshjeve.

Ndërhyrja e posaçme kërkon ndërtimin e një dige rreth xhamisë për t’i mbajtur larg ujërat nga muri strukturor i ndërtesës dhe për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij fenomeni që jo vetëm e bën të papërdorshme Xhaminë e Plumbit, por edhe ka dëmtuar vlera të saj, që tashmë do të jenë objekt restaurimi.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu. Ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Xhamia është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri, i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja.

Në anë të sallës kryesore të lutjes jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku të rrethuar me harqe në formë galerie që rrallë ndeshet në xhami të tjera.

Sipas të dhënave në IMK, punimet restauruese të fundit janë bërë në vitin 1863, pas kësaj deri në shekullin e 20 nuk ka ndonjë ndërhyrje tjetër të regjistruar. Në vitin 1967 minarja e xhamisë është rrëzuar nga rrufeja. Gjatë viteve të regjimit komunist xhamia ka qenë e mbyllur dhe është hapur vetëm në vitin 1991.

Në ndërhyrjet e viteve të fundit e gjithë suvatimi i ndërtesës është rinovuar me suva çimentoje dhe të gjitha dritaret dhe dyert janë rinovuar. Tashmë vjen faza e vështirë e zbatimit të këtij projekti kompleks, por që do të shtojë një destinacion të ri për t’u vizituar në Shkodrën e kulturës dhe të diversitetit fetar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm (KZP)  i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi ka…