Miratohet raporti vjetor i BQK-së për vitin 2025: Konfirmohet stabiliteti financiar

30 qershor 2026 | 11:45

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar raportin vjetor për vitin 2025, i cili pasqyron angazhimet, zhvillimet dhe arritjet institucionale në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, forcimit të integritetit të sistemit financiar dhe qëndrueshmërisë institucionale.

Raporti konfirmon se ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë, pavarësisht sfidave nga mjedisi i jashtëm ekonomik dhe gjeopolitik.

Gjatë vitit 2025, sistemi financiar vazhdoi zgjerimin e qëndrueshëm, sektori bankar mbeti mirë i kapitalizuar dhe likuid, ndërsa norma e kredive joperformuese mbeti në nivel të ulët.

Gjatë vitit, BQK-ja avancoi kornizën makroprudenciale, mbikëqyrjen e sistemit financiar, harmonizimin rregullativ me standardet e Bashkimit Evropian, sistemin e pagesave, mbrojtjen e konsumatorit, gjithëpërfshirjen financiare, inovacionin financiar dhe integritetin e valutës euro në Kosovë.

Në planin ndërkombëtar, BQK-ja forcoi praninë në forume rajonale dhe ndërkombëtare, zgjeroi bashkëpunimin përmes asistencave të ndryshme teknike dhe avancoi menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, në mbështetje të reformave, kapaciteteve institucionale dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare.

Raporti përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara të BQK-së për vitin 2025, me opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm.

Për vitin 2025, BQK-ja realizoi rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë euro, me ndarje të fitimit në përputhje me kornizën ligjore: 50% për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe 50% për rezervat e BQK-së.

Falënderim i veçantë për stafin e BQK-së, organet drejtuese dhe mbikëqyrëse, si dhe për partnerët vendorë institucional dhe ndërkombëtarë për bashkëpunimin, mbështetjen dhe kontributin në avancimin e reformave dhe objektivave strategjike të BQK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nisur zyrtarisht procesin…