
“Mirëmëngjes me flamurin gjigand që i priu triumfit”, Rama uron Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me entuziazëm pas fitores së madhe të Kosovës ndaj Suedisë mbrëmjen e së hënës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka përshëndetur këtë arritje historike të “Dardanëve”, duke e shoqëruar urimin me një mesazh simbolik dhe plot emocione.
“MIRËMËNGJES dhe me flamurin gjigand që i priu mbrëmë fitores historike të Kosovës në fushën e Suedisë, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama, duke e ndarë postimin me një video të tifozëve kosovarë që valëvisnin flamurin kombëtar shqiptar në stadiumin “Nya Ullevi” të Goteborgut.
Fitorja 0-1 ndaj Suedisë është cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar, jo vetëm për rezultatin, por edhe për mënyrën se si ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda tregoi karakter, disiplinë dhe shpirt gare.
Postimi i Ramës ka filluar të shpërndahet gjerësisht në rrjetet sociale, duke u interpretuar si një tjetër shenjë e mbështetjes së tij të vazhdueshme ndaj sportistëve shqiptarë, kudo që përfaqësojnë ngjyrat kuqezi dhe ato të Kosovës.
Kjo fitore pritet të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve dhe të forcojë edhe më shumë ndjenjën e krenarisë kombëtare, që u reflektua qartë në reagimet e shumta nga politikanë, figura publike dhe qytetarë nga mbarë trojet shqiptare.