
Mitrovica dhe Dukagjini fitojnë ndeshjet e para gjysmëfinale
Janë zhvilluar këtë mesjavë ndeshjet e para gjysmëfinale në kuadër të Kupës së Kosovës për femra, ku Mitrovica dhe Dukagjini kanë marrë fitore të rëndësishme, duke hedhur hap të madh drejt finales së madhe.
Në sfidën e zhvilluar në Malishevë, skuadra e Mitrovicës e mposhti Malishevën, me rezultat 2:1. Blerta Shala kaloi mitrovicaset në epërsi në minutën e 19-të. Shifrat i barazoi Fortesa Berisha në minutën e 39-të. Megjithatë, për fitoren e Mitrovicës u përkujdes Erjona Emërllahu, e cila realizoi gol në minutën e 61-të, duke i dhënë skuadrës së saj një avantazh të vlefshëm për ndeshjen e kthimit. Ndërkohë, në takimin tjetër të gjysmëfinales, Dukagjini tregoi forcën në shtëpi, duke e mposhtur Prishtinën me rezultat 2:0.
Pavarësisht një ndeshjeje të luftuar, vendaset arritën të shënojnë dy gola në periudhën e fundit të takimit përmes Albina Hotit në minutën e 78-të dhe Anjeza Berishës në minutat shtesë (90+). Ndeshjet e kthimit të këtyre gjysmëfinaleve do të zhvillohen më 14 maj.