
Mitrovica eliminohet nga Liga e Kampionëve
Kampionia e Kosovës në futbollin e vajzave, KFF Mitrovica, nuk ka arritur të kalojë tutje në Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar në gjysmëfinale të raundit të parë ndaj skuadrës nga Irlanda e Veriut, Cliftonville, me rezultat 3-1 pas vazhdimeve.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në kohën e rregullt u mbyll 1:1. Mitrovicaset ishin në rrugë të mirë drejt kalimit në finale, pasi deri në minutën e 84-t kishin epërsi me golin e Aurora Mulliqit, të realizuar në minutën e 47-të.
Megjithatë, mysafiret në rastin e parë konkret barazuan shifrat, pas një gjuajtje nga këndi Carla Devine shënoi për 1:1 për ta çuar ndeshjen në vazhdime. E më pas e njëjta lojtare shënoi edhe dy herë të tjera (100’ dhe 113’), duke i siguruar Cliftonville-it kualifikimin në finalen e mini-turneut kualifikues, ku do të ballafaqohet me skuadrën gjeorgjiane, Lanchkhuti, në fundjavë në stadiumin “Fadil Vokrri”.