MKRS-ja: Punimet në stadiumin e Gjilanit do të përfundojnë brenda 24 muajve

21 maj 2025 | 12:04

Stadiumi i qytetit të Gjilanit është drejt realizimit konkret, pas nënshkrimit zyrtar të kontratës për ndërtim me operatorin ekonomik fitues.

Lajmi është konfirmuar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Daulina Osmani, e cila tha se ky projekt ka një rëndësi të veçantë për qytetin dhe komunitetin sportiv të rajonit.

“Gjithçka gati. Stadiumi i Gjilanit po fillon punimet”, ka shkruar Osmani.

Sipas saj, vlera e investimit për këtë projekt kap shumën e 12,783,110 milionë eurove, ndërsa afati i përfundimit është 24 muaj nga fillimi i punimeve. Kjo shënon një kthesë të madhe pas një periudhe të gjatë vonesash dhe mungese serioziteti në trajtimin e këtij projekti madhor.

“Sot është nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjilan. Vlera e investimit është 12,783,110 milionë euro”, ka shtuar Osmani. Ajo e cilësoi ndërtimin e stadiumit si më shumë se një projekt infrastrukturor.

“Ky stadium nuk është thjesht një projekt infrastrukturor për Gjilanin, por është pjesë e identitetit të qytetit. Një hapësirë ku gjenerata të tëra janë lidhur me futbollin, emocionin, pasionin dhe historinë”, ka pohuar zëvendësministrja.

Në deklaratën e saj, Osmani siguroi se institucionet përkatëse do ta ndjekin me përkushtim çdo hap të punimeve për të garantuar përfundimin cilësor dhe në kohë të projektit.

“Pas shumë vitesh ndalesa, mungesë serioziteti dhe profesionalizmi, punimet nisin tash dhe pritet të përfundojnë brenda 24 muajve. Projekti ka hyrë në binarë të qartë dhe do të ndiqet me përkushtim nga MKRS dhe të gjithë akterët përkatës”, ka deklaruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk…