MMPH-ja ndan 50 mijë euro për deponinë e mbeturinave në Pejë

29 gusht 2018 | 17:05

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projektit “Ndërtimi i deponisë komunale në regjionin e Pejës” në vlerë prej 50 mijë euro për vitin fiskal 2018 dhe që financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij memorandumi, Matoshi ka thënë se ndërtimi i kësaj deponie ka për qëllim përmirësimin e gjendjes se mjedisit në Pejë.

“Ndërtimi i kësaj deponie do të fillojë këtë vit dhe do të vazhdojë edhe vitin që vjen me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtar” , ka theksuar Matoshi.

Ai ka treguar se ndërtimi i kësaj deponie në Komunën e Pejës po bëhet në kohën e fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, që fillon më 15 shtator.

“Ndërtimi i kësaj deponie po bëhet në kohën e fushatës për pastrimin e Kosovës e cila do të mundësojë që të gjitha mbetjet e ngurta që do të grumbullohen në këtë komunë të trajtohen në këtë deponi”, është shprehur ai, duke shtuar se në Pejë do të fillojë edhe ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, të cilin MMPH-ja e financon me 4 milion euro kurse komuna me rreth 3 milion euro plus shpronësimet.

Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka falënderuar  MMPH-në për financimin e projektit për ndërtimin e deponisë në komunën që ai drejton, duke thënë se ky është një fillim i mbarë për bashkëpunimin që do të ndodhë edhe në të ardhmen.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas kërkesës së MKRS-së dhe miratimit të saj nga Kuvendi…