
Mocioni për rrëzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të dorëzohet më 12 qershor
Ekipet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë kanë afat deri më 12 qershor për të dorëzuar një mocion të përbashkët lidhur me rrëzimin e pikave të aktakuzës ndaj tyre.
Ky mocion pritet të përmbajë kundërshtime ndaj vazhdimit të procesit apo kërkesa të tjera procedurale nga ana e mbrojtjes.
Sipas një njoftimi nga Dhomat e Specializuara, trupi gjykues ka caktuar që Prokuroria të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik, por më pas ka vendosur ta shkurtojë afatin kohor duke e caktuar datën 7 korrik si afatin përfundimtar të dorëzimit.
“Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me rregullën 130, deri më 12 qershor, ndërsa ZPS-ja u urdhërua të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik. Megjithatë, në këtë vendim, Trupi Gjykues e gjeti të përshtatshme, të zvogëlojë afatin kohor për përgjigjen e Prokurorisë më 7 korrik”, thuhet në vendim.
Avokati Ardian Bajraktari, duke komentuar zhvillimet e fundit, tha se një rrëzim i tërësishëm i aktakuzave do të përbënte një epilog të mundshëm të këtij procesi, i cili ka zgjatur me vite dhe është shoqëruar me, siç u shpreh ai, “shkelje të shumta”.
“Referuar asaj që është parë deri më tash, rrëzimi i tërësishëm i pikave të aktakuzës do të ishte epilog real i përfundimit të këtij procesi të stërzgjatur dhe me shkelje të shumta. Po ashtu, vlen të theksohet se në varësi prej epilogut të vendimit të trupit gjykues të korrikut, kjo do të jetë rrethanë determinuese për këtë proces të mëpastajmë. Vlerësoj që së paku në shkallën e parë të përfundojë brenda këtij viti ose vitin e ardhshëm më së largu”, deklaroi Bajraktari
Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së.
Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.
Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.
Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.