Modeli i liderit (“babës”) karizmatik nuk (zh)bëhet, ai mirëmbahet

03 janar 2018 | 15:01

Fadil Maloku

1. Pothuajse në të gjitha vendet e tranzicionit ka ndodhur një proces, apo një lloj katarsisi kur është fjala tek: rirreshtimet brendapartiake dhe ngritja e përgjegjësisë publike nga ana e subjekteve apo aktorëve dominues politikë të cilët, me fuqinë e votës, bëjnë projeksione kombëtare dhe sosh shtetërore. Që nënkupton zhvillime të atilla emancipuese për ta krijuar masën kritike për përgjegjësit dhe nevojat si standarde të shoqërive bashkëkohore demokratike. Historia e gjertanishme e këtyre shoqërive ka dëshmuar se procesi i rirreshtimit duhet të ndodhë në disa plane, në mënyrë që të arrihet standardi i sigurisë dhe i përgjegjësisë së institucioneve dhe gjithë inxhinieringut social (zbutja e papunësisë në gangrenë që edhe sot po i përcjellë këto vende) e sidomos atij kulturor (ndryshimi gradual dhe në koherencë me nevojat dhe apetitet e grupeve të ndryshme të interesit), në mënyrë që të funksionojnë sa më mirë demokracia dhe shteti. Ky proces duhet të ndodhë në sferën ideologjike, atë programore, juridike, sociale dhe sidomos atë kulturore.

2. Ndryshe, nëse nuk ndodhin ndryshime në sferat e mësipërme, atëherë në shoqëri, sidomos në institucionet bartëse të proceseve dhe zhvillimeve shoqërore, mund t’i ekspozohen të ashtuquajturit fenomene të atrofisë apo mbylljes sociale që nënkupton maksimalizimin e avantazheve të grupeve të ndryshme të interesit, ashtu siç është duke ndodhur aktualisht në Kosovën e pasluftës. Ku grupe të ndryshme (kryesisht të interesit dhe bizneseve të amalguara me ato të politikës) bëjnë plane dhe projekte të tëra për t’i ruajtur statuset dhe privilegjet e tyre të fituara në mënyrë (jo)meritore. Kjo mbyllje sociale apo e cilësuar ndryshe edhe si një lloj hermetizmi social mund të përkufizohet si një gjendje apo status quo përmes të cilit grupet e ndryshme bëjnë përpjekje jo vetëm ta ruajnë, siç thamë, kontrollin mbi resurset dhe begatitë njerëzore, por edhe ta ushtrojnë ndikimin e tyre monopolist.

3. Një cilësim kujtoj që i mungon çështjes së dinamikës së kategorizimit kur janë në pyetje kriteret, pyetja, apo edhe çështja e identifikimit të partive kosovare, mund të merret ai i konsekuencave apo karakterit të raportit të brendshëm partiak, e që ka të bëjë me hierarkinë apo subordinimin e njerëzve kyçë brenda një subjekti të caktuar politik. Sëmundje kjo e “fruthit“, nëpër të cilin kanë kaluar: LDK-ja, më shumë, PDK-ja, më pak, AAK-ja, aspak! Kurse, tani Vetëvendosja, është në këtë rrugë. Që të gjitha këto subjekte pretendojnë ose joshen të binden se janë ideatorët, arkitektët apo edhe vetë “baballarët” e këtyre partive politike.

4. Sipas këtij kriteri, liderët made in Albanicus, në partitë politike shqiptare sensin apo prirjen për t’i nënshtruar në mënyrë autoritare dhe me fuqinë e karizmës gjithë mëkëmbësit tjerë, e shfrytëzojnë si një guide të qartë, por asnjëherë të pathënë, as në prani e as në mungesë të mëkëmbësve të tyre. Një tjetër çështje e shndërruar në rutinë sociale tashmë është edhe ajo e portretit të autoritetit të liderit. Që kur të analizohet me dioptrinë sociologjike, këto personalitete, në mungesë të instalimit të sistemit funksional në brendësinë e organizatave të tyre, na dalin me një portret tipik karizmatik, që i karakterizon sidomos shoqëritë e vonuara. Këto autoritete, çështjen dhe motivet e mosrealizimit të copëzave identitare i shfrytëzojnë dhe e përdorin jashtëzakonisht në mënyrë mjeshtërore jo vetëm për ta ushtruar trysninë e tyre mbi pjesëtarët e tjerë partiakë, por edhe për të sjellë edhe vendime kontradiktore dhe herë-herë edhe në kundërshti me programet dhe orientimet e proklamuara ideologjike…

5. Çdo parti politike e ka hierarkinë e vet, pra shkallaren ose piramidën e vet organizuese ku anëtarët e partive zgjedhën e sistemohen sipas kritereve, shijeve, sidomos interesave e shërbimeve që ata i kryejnë liderit partiak, apo vetë partisë në faza të ndryshme të emancipimit politik. Pozita në shkallaren partiake në një mënyrë përcakton edhe statusin e anëtarit në atë parti, i cili jo domosdoshmërisht mund të jetë edhe i komunitetit të biznesit, atij intelektual, rural, urban, pra edhe njeriut të thjeshtë, i cili sjell fuqi politike përmes (karizmës) votës së tij. Sistemet e shtresëzimit partiak dallojnë sipas asaj se sa u lejohet të lëvizin nga një status apo pozitë më të ulët partiake në një pozitë më të lartë, në hierarkinë apo piramidën politike.
6. Gjatë këtij procedimi zakonisht rebelimi eventual partiak, individët dhe grupet, apo edhe fraksionet brenda një subjekti politik, i katapulton edhe kah një rebelim politik. Por, çka është rebelimi partiak? Do thënë se ky koncept aludon kryesisht në një lloj gjendjeje të ankoruar sociale dhe që ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e një lloj norme ekzistuese politike që zakonisht normohet në sistemet fillestare partiake, që për imperativ e kanë: dallimin e qartë nga subjektet dhe organizatat e tjera politike; idenë për ta përmbysur sistemin ekzistues të vlerave të komprometuarash dhe instalimin e sistemit të ri vleror. Ideja e “rebelimit partiak”, shpeshherë ngatërrohet me konceptin e rebelimit politik, që ka një kuptim tjetërfare (të kryengritjes, revolucionit, pra të një ndërrimi rrënjësor të raporteve shoqërore?!) dhe që në shumë raste në historitë e popujve të ndryshëm u ka prirë ndryshimeve sociale dhe atyre ekonomike.

7. Në rastin e Kosovës ne kemi identifikuar Lëvizjen Studentore të viteve ’80 dha ’90 së bashku me lëvizjen joviolente të identifikuar me Ibrahim Rugovën, kurse në botë: rebelimin në Tien an Men (Kinë), lëvizjen e hipikëve, lëvizjen në Çekosllovaki, pastaj atë në Gjeorgji, kurse sot lëvizjen Occupy Wall Street, Occupy Okllahoma etj. Kriteret apo masa e argumentit për ta krijuar pretekstin e fortë, në fund edhe për ta mposhtur sistemin e vjetër vleror ishin kryesisht të natyrës: sociale, kombëtare, kolonialiste etj., pra një gamë e tërë argumentesh dhe pretekstesh socio-politike e ekonomike që, dosido, në faza të ndryshme emancipuese, në shoqëri të ndryshme, sjellë pasoja dhe reperkusione të ndryshme. Bartëse të këtyre proceseve janë partitë politike që nuk kanë instaluar ende elementet ideologjike, e që ende shërbehen me flokulat dhe ikonografinë kombëtare. Duket që ato ende nuk e kanë të qartë as vizionin e “ecejakes” horizontale e as të asaj horizontale?!

ENKAS PËR NUMRIN FESTIV TË GAZETËS “EPOKA E RE”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka…