
Modriq: Milani, një nga klubet më të mëdha në botë
Luka Modriq, mesfushori kroat i transferuar këtë verë te AC Milan, ka folur nga grumbullimi i kombëtares së Kroacisë në prag të ndeshjes ndaj Malit të Zi. Përveç përgatitjeve me përfaqësuesen, ai u ndal edhe te përshtatja e tij me klubin kuqezi.
“Faza e përshtatjes është shumë e rëndësishme për mua. Deri tani mund të them vetëm gjëra pozitive: klubi, skuadra, shokët e ekipit dhe trajneri më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam shumë i emocionuar për këtë klub, për madhësinë dhe organizimin e tij. E shikon qartë që Milani është një nga klubet më të mëdha në botë, edhe pse aktualisht nuk është në nivelin e rezultateve që kishte në vitet ’90 apo 2000,” u shpreh Modriq.
Modric nuk ka pasur nevojë për shumë kohë që të fitonte vendin titullar te Milani. Trajneri Massimiliano Allegri e ka aktivizuar nga minuta e parë në rolin e regjisorit përpara mbrojtjes në ndeshjet kundër Cremonese-s dhe Lecces.
Cilësia e tij është e padiskutueshme dhe kroati tashmë shihet si lider brenda skuadrës. Në sfidën ndaj Lecces, në transfertë, ish-‘ylli’ i Real Madridit dhuroi edhe asistimin e parë me fanellën kuqezi: pas një goditjeje dënimi perfekt, ai shërbeu topin që Loftus-Cheek e dërgoi në rrjetë me kokë, duke hapur rrugën e fitores.
Me eksperiencën dhe klasën e tij, Modriq duket se po kthehet shpejt në një pikë referimi për Milanin, që kërkon të rikthehet mes më të mëdhenjve në arenën evropiane.