Mohojnë fajësinë për hedhjen e gazit lotsjellës

23 janar 2018 | 13:00

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi dhe kryetari i Therandës, Bali Muharremaj, kanë dalë sot para gjykatës për hedhje të lotsjellësit në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Kurteshi dhe Muharremaj akuzohen se e hodhën lotsjellësin më 26 shkurt 2016.
“Më 26 shkurt 2016 në sallën e Kuvendit të Kosovës kanë përdorur armen apo mjetin e rrezikshëm ashtu qe secili ka hedhur gazin lotsjellës në Kuvend”, është thënë në aktakuzë.

Në gjykatë Kurteshi dhe Muahrremaj kanë pranuar se hodhën lotsjellës, por janë deklaruar të pafajshëm.

“Gazin e kam hedhur, por fajësinë për vepër penale nuk e pranoj si të tillë”, ka thënë Muharremaj.

Edhe deputeti Kurteshi ka mohuar se ka kryer vepër penale. “Me datën që është shënuar në aktakuzë si deputet e kam hedhur gazin lotsjellës për arsye politike dhe konsideroj se ka qenë obligim i imi që ta mbrojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës andaj konsideroj se nuk kam kryer vepër penale, por e kam përmbushur obligimin tim si deputet”, ka thënë Kurteshi.

Po për hedhje të lotsjellësit në Kuvend më 3 janar janë dënuar katër deputetë të VV-së Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli. Ismajl Kurteshi bashkë me Haxhi Shalën janë duke u gjykuar në një proces tjetër po për lotsjellësin në Kuvend. (kallxo.com)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), përmes një…