Moldavianët votojnë në zgjedhjet vendimtare mes integrimit në BE dhe ndikimit rus

28 shtator 2025 | 09:45

Moldavianët votojnë në zgjedhjet kyç parlamentare, duke zgjedhur mes dy rrugëve: vazhdimin e integrimit drejt Bashkimit Evropian apo kthimin drejt Rusisë, mes raportimeve të shumta për ndërhyrje në fushatë nga Kremlini.

Vendvotimet u hapën në orën 07:00, sipas kohës lokale, dhe do të mbyllen në orën 21:00. Rezultatet pritet të publikohen menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit.

Moldavia gjendet në kufi me Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022. Ky konflikt e ka goditur rëndë ekonominë e Moldavisë, ka shkaktuar ndërprerje në tregti dhe ka rritur çmimet e energjisë, duke shkaktuar rritje të inflacionit, raporton Rel.

Ndërkaq, ushtria online e dezinformimit e Kremlinit ka përdorur llogari dhe rrjete të rreme, shpesh të krijuara nga inteligjenca artificiale, për të mbushur rrjetet sociale me narrativë prorusë dhe pretendime të pabazuara për mashtrime.

“Kremlini po mundohet të krijojë një situatë të tillë të tensionuar, në të cilën mund të manipulohet opinioni publik ose të ndikohen rezultatet”, tha për Current Time, Alexei Tulbure, ish-ambasador i Moldavisë në Kombet e Bashkuara dhe në Këshillin e Evropës.

“Moldavia është një aleate e rëndësishme e Ukrainës. Ajo është një qendër e rëndësishme logjistike për Ukrainën… A e imagjinoni sikur një shtet armiqësor të shfaqej në kufirin perëndimor të Ukrainës? Do ta dobësonte pozitën e Kievit… Edhe nëse nuk do të kishte sulme të drejtpërdrejta ndaj Ukrainës prej andej, Ukraina sërish do ta rriste prezencën e saj ushtarake në perëndim për të garantuar sigurinë e vet”.

Në zgjedhje po përballet partia në pushtet e presidentes, Maia Sandu, Veprimi për Solidaritet (PAS) kundër Bllokut Elektoral Patriotik, një aleancë proruse dhe e partive nostalgjike ndaj Bashkimit Sovjetik.

Socialistët drejtohen nga Igor Dodon, ish-president i Moldavisë – të cilin Sandu e mposhti në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 – i cili prej kohësh mban lidhje të ngushta me Moskën. Ai i është referuar Qeverisë aktuale, të zgjedhur në mënyrë demokratike, si “regjim kriminal”.

Kremlini e ka akuzuar vazhdimisht Moldavinë për “histeri antiruse” dhe ka mohuar se po ndërhyn në ato që Sandu i ka quajtur “zgjedhjet më të rëndësishme” në historinë e vendit të saj.

Duke rritur tensionet, policia dhe prokurorët moldavianë më 22 shtator ndaluan 74 persona nën dyshimin se po përgatitnin trazira masive. Raportohet se grupi ishte trajnuar në Serbi – një aleate kyç evropiane e Rusisë – në taktika destabilizimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ishte e nderuar që…