Molliqaj: E domosdoshme që nesër të jemi masivisht në shesh për lirinë e atyre që luftuan për lirinë tonë

16 shkurt 2026 | 22:29

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në protestën e nesërme “Drejtësi, jo Politikë”, e cila synon të kërkojë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. Përmes një video-incizimi, ai e ka cilësuar ditën e nesërme si moment të rëndësishëm për të gjithë qytetarët që duan të japin kontributin e tyre.

“Nesër është dita e rëndësishme që mund të japim një kontribut. Edhe ti, edhe unë”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se protesta lidhet drejtpërdrejt me lirinë dhe vlerat themelore mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e drejtë. “Nesër do të dalim në protestë për lirinë e atyre që luftuan për lirinë tonë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një popull që ka qenë i robëruar sesa liria, sepse liria i çelë mundësi drejtësisë, barazisë, zhvillimit, progresit. Pa lirinë që e kemi sot, vështirë se do të kishim këto kushte dhe këtë mundësi jetese”, deklaroi ai.

Ai e përshkruan më tej protestën si shans të përbashkët për t’u solidarizuar me ish-udhëheqësit e luftës çlirimtare dhe për t’u dhënë atyre mbështetje masive.

“Nesër është shansi i krejt neve që ata që ishin në krye të përpjekjes çlirimtare – pra të luftës tonë çlirimtare, të Ushtrisë sonë Çlirimtare – t’i solidarizojmë dhe t’u japim mbështetje të madhe në sheshin e Prishtinës, në ora 14:00”, ka shtuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në…