Molliqaj për draftin e Ramës: Shpëtim për Kurtin dhe i dëmshëm për Kosovën

08 qershor 2023 | 17:06

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar se dorëzimi i një draft-statuti nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është synim për ta shpëtuar kryeministrin Albin Kurti dhe për ta dëmtuar Kosovën.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se draft-statutin ia ka dorëzuar presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Këtë gjë, Molliqaj është duke e parë si mënyrë për t’i riparuar marrëdhëniet e Kurtit me faktorin ndërkombëtar.

Molliqaj ka vlerësuar se Kosova duhet të shpëtohet nga Asociacioni dhe  kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se çdo veprim për themelimin e Asociacionit është shpëtim për Kurtin dhe në dëm të Kosovës.

“Parimisht duhet të dyja duke e ndihmuar e ndërhy për interesa të shteteve respektive sepse jemi një komb. Madje Shqipëria e ka obligim edhe kushtetues, në preambulë kujdesin për shqiptarët jashtë kufijve administrativ të saj. Mund të kesh motiv të mirë, por jo gjithmonë motivi të amniston prej rezultateve që i ke. Kurti sot nuk ka nevojë për me u shpëtuar, sot ka nevojë Kosova me u shpëtuar. Për me u shpëtuar Kosova duhet të shpëtohet edhe nga Asociacioni edhe nga Kurti”, ka thënë Molliqaj

Më tutje, ai ka thënë se Shqipëria duhet të insistojë për një marrëveshje të përhershme Kosovë-Serbi.

“Këto dyja tashmë janë lidh me njëra-tjetrën dhe janë projekte të pandashme me njëra-tjetrën, prandaj veprimi i kryeministrit Rama mua më duket ndonëse mund të ketë motive të mira, si rezultat e ka me e shpëtuar Kurtin. Pra kjo është argat për Kurtin, jo për Kosovën. Për Kosovën do të ishte argat sikur Shqipëria do të dilte me një qëndrim që Kosovës dhe Serbisë i vyen një marrëveshje e përhershme, që ka një kompromis brenda por që marrëveshja është e përhershme. Jo tash ta bëjmë Asociacionin për me e shpëtua Kurtin nga marrëdhëniet me ShBA-në, sepse ShBA-ja e bëri të qartë që ne kemi problem me kryeministrin e Kosovës e jo me Kosovën, prandaj Asociacioni i bën dëm Kosovës e shpëton Kurtin. Çdo veprim në themelimin e Asociacionit prej kujtdo që vjen është me shpëtuar Kurtin e me dëmtuar Kosovën”,  ka thënë Molliqaj. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata shtetërore e Bosnjës ka dënuar pesë ish-policë, serbë etnikë,…