
Molliqaj: Policia, kundërligjshëm ndali kamerat teksa realizoi kontroll në NPB
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka folur në një konferencë për media nga selia e partisë duke drejtuar akuza ndaj Policia së Kosovës se është shfrytëzuar politikisht përgjatë aksionit të realizuar në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).
Siç ka pretenduar Molliqaj, policia përgjatë kontrollit në NPB më 19 korrik, kishte lokalizuar përfaqësuesit e ndërmarrjes dhe në dy katet e objektit kishin qëndruar pa kamera të sigurisë dhe pa përfaqësues të këtij institucioni.
Molliqaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës të tregojnë se me çfarë vendimi i kanë ndalë kamerat e sigurisë.
“Është hera e parë që Policia e Kosovës ka bërë shkelje të tilla në institucione publike dhe private. Kjo nuk është shkelje e rastësishme, është intervenim politik. Shkyçja e kamerave të sigurisë është e vërtetuar, tashmë ka dalë në media”.
“Pyetja është e thjeshtë, ka çuar policia bombë, dokumente apo drogë? Apo çfarë ka vendosur Policia e Kosovës në mënyrë të fshehtë, me ndalje të kamerave?”, ka thënë Molliqaj në konferencë.
Ai ka thënë se ky proces ka nisur nga burri i asistentes personale të kryeministrit Albin Kurti.
“Ky e ka nisur këtë proces, policia ka vepruar, pastaj është zinxhiri, pas burrit të asistentes së kryeministrit, kemi pasur reagim të Vetëvendosjes”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka thënë se e gjithë kjo po ndodh pas humbjes së betejës në gjykatë.