
Molliqaj refuzoi koalicionin me Haradinajn
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tha se e ftoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për të diskutuar për një koalicion të mundshëm.
“Dy orë takim. E falënderoj që u takuam. Nuk ka kuptim me ba koalicion kur nuk pajtohemi për shumë gjëra. Kemi pasur ofertë, por nuk kish kuptim. PSD nuk është e interesuar për dy deputetë aty”, tha ai.
Molliqaj tha se nëse ndodh formimi i Asociacionit apo i “autonomisë”, siç e quajti ai, përgjegjësia do t’i takojë edhe opozitës.
Kur u pyet se përse nuk u bënë bashkë me opozitën për ta kundërshtuar këtë, Molliqaj tha: “Opozita është njëzëri për Asociacionin me qeverinë”.
Sipas tij, kryeministri Kosovës Albin Kurti pranoi marrëveshjen më të keqe deri më tani për Asociacionin.
Molliqaj shtoi se veprimet e qeverisë Kurti çuan në autonomi për veriun e Kosovës.
“Ne mundemi me i bo çka duash veriut të Kosovës, po në fund kur të ia japësh autonominë ajo është punë e kryer….secili veprim i Qeverisë së Kosovës vetëm sa e ka trashur autonominë”, tha Molliqaj.