Monedha false
CHARLES BAUDELAIRE
Kur u larguam nga dyqani që shiste duhan, miku im bëri një ndarje të kujdesshme të kusurit. Në xhepin e majtë të jelekut futi disa monedha ari me vlerë të vogël, në të djathtin monedha argjendi, në xhepin e majtë të kilotave një tufë qindarkash, dhe më në fund në të djathtin, një dyfrangësh argjendi, të cilin e shqyrtoi veçanërisht.
– Sa ndarje e imët dhe e veçantë! – thashë me vete.
Pak më tutje takuam një varfanjak që na zgjati kasketën e tij duke u dridhur. Nuk njoh asgjë më shqetësuese sesa gojëtaria e shurdhër e këtyre syve lutës, të cilët mbajnë në vetvete kaq shumë përulësi dhe kaq shumë qortime për njeriun e ndjeshëm që di t’i lexojë. Atij i duket se ka diçka të përafërt midis kësaj thellësie ndjenjash të ndërlikuara dhe asaj që shfaqet tek sytë lotues të qenve që rrahim me kamxhik.
Shuma që miku im i dha të varfrit ishte më e madhe se e imja, prandaj i thashë:
– Keni të drejtë. Kënaqësia më e madhe, mbas të qenit i habitur, është të befasosh të tjerët.
– I dhashë monedhën false – m’u përgjigj ai qetësisht, sikur donte të justifikonte faktin që u tregua dorëlëshuar.
Por në trurin tim të mjerë, që gjithmonë përpiqet t’i hapë punë vetes (ç’veti rraskapitëse më ka bërë dhuratë natyra !) lindi papritmas ideja që mikut tim do t’i falej një sjellje e tillë, vetëm në qoftë se ai do të ishte i shtyrë nga dëshira për të krijuar një ngjarje të jashtëzakonshme në jetën e këtij të gjori, apo për të marrë vesh pasojat e ndryshme, të kobshme apo të tjera që mund të shkaktonte monedha false në dorën e një lypësi. A do të mund të shumëfishohej ajo në monedha të vërteta? Apo do ta çonte në burg? Një pronar kabareje apo një bukëpjekës, për shembull, mund ta kallëzonte dhe atë do ta arrestonin si bërës apo shpërndarës të monedhave false. Ajo monedhë mund t’i shërbente një spekulatori të vogël e të varfër si zanafillë e një pasurie që do të zgjaste vetëm disa ditë. Dhe kështu fantazia ime, duke mbivlerësuar shpirtin e mikut tim, vazhdonte me qetësi të nxirrte të gjitha përfundimet e mundshme nga të gjitha hamendjet e mundshme.
Por ai ma ndërpreu ëndërrimin papritmas dhe duke përsëritur fjalët e mia më tha:
– Po, ju keni të drejtë. Nuk ka kënaqësi më të ëmbël sesa të befasosh dikë duke i dhënë më tepër se ç’priste.
E vështrova mirë në beben e syrit dhe u tmerrova kur pashë që sytë e tij shkëlqenin nga një dëlirësi e pakundërshtueshme. Atëherë e kuptova qartë se ai donte në të njëjtën kohë të tregohej zemërgjerë dhe të dilte me fitim, t’i kursente dyzet qindarka dhe ta fitonte zemrën e Zotit, të shkonte në parajsë duke kursyer dhe të merrte falas diplomën e njeriut shpirtmadh. Unë do t’ia falja, në qoftë se ai do të kishte dëshirë të shijonte një kënaqësi kriminele, për të cilën pak më parë e kujtoja të aftë, sepse do të më dukej kureshtar dhe i veçantë fakti që ai të dëfrehej duke marrë në qafë të varfrit, por unë nuk do t’ia fal kurrë idiotësinë e llogarisë së tij.
Askush nuk mund të falet në qoftë se është i lig, por ai që e di që është i tillë, ka një farë merite, prandaj dhe vesi më i keq e i pandreqshëm është të bësh keq nga marrëzia.
Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa. Marrë nga numri 24 i revistës “Akademia”



