
Morata: Dua të rikthehem në Spanjë
Alvaro Morata mund të kthehet në La Liga. Sipas “Sky Sports”, Sevilla dhe Getafe kanë treguar interes të fortë për sulmuesin spanjoll që aktualisht luan për Galatasarayn.
Lojtari i lindur në vitin 1992, i cili më parë ka luajtur për klube prestigjioze si Real Madrid, Atletico Madrid, Juventus dhe Chelsea, nuk e ka përjashtuar një kthim në atdheun e tij, duke sugjeruar se vendimi përfundimtar do të diktohet mbi të gjitha nga arsye personale dhe familjare.
Morata ka ende gjashtë muaj të mbetur në kontratën e tij me klubin turk, por nuk duket shumë i bindur nga ideja e qëndrimit.
“Do të doja të kthehesha në Spanjë”, ka thënë Morata, duke shtuar se do të bënte një zgjedhje që do ta bëjë familjen e tij të lumtur, mbi të gjitha. Një sinjal i qartë që mund të lehtësojë negociatat për rikthimin e tij në La Liga që në verë.