Morata shpërthen ndaj Galatasarayt: Më mohuan të drejtat, u detyrova të hiqja dorë nga paga

12 gusht 2025 | 16:06

Álvaro Morata ka dhënë fund aventurës së tij në Turqi me një deklaratë të fortë ndaj klubit të Galatasaray-t, ku mbërriti vetëm gjashtë muaj më parë.

Sulmuesi spanjoll, i cili u largua zyrtarisht nga skuadra pak ditë më parë, zgjodhi rrjetet sociale për t’u përshëndetur me tifozët dhe për të sqaruar arsyet e pakënaqësisë së tij.

Në një postim në Instagram, Morata falënderoi publikisht tifozët për mbështetjen, por u shpreh se përvoja e tij me klubin nuk ka qenë ajo që kishte shpresuar.

Për fat të keq, nuk mund të them të njëjtën gjë për përvojën time me klubin.

Ka pasur momente kur fjala e dhënë dhe respekti për vlerat themelore nuk janë mbajtur.

Deri në fund, angazhimet e marra nuk u përmbushën, deri në atë pikë sa nuk më mbeti zgjidhje tjetër veçse të hiqja dorë nga një pjesë e pagës dhe të drejtave të tjera kontraktuale që i kisha fituar përmes punës sime”, shkroi ai, duke theksuar se shifrat e raportuara në media nuk janë të sakta.

Morata nënvizoi se vendosi ta bëjë këtë situatë publike për një arsye të qartë: “Për mua, në jetë dhe në punë, ka parime që nuk duhet të shkelën kurrë, si respekti për të drejtat e çdo personi.

Mosnjohja dhe moskompensimi i asaj që është fituar, për mua është e papranueshme dhe bie ndesh me vlerat e drejtësisë dhe profesionalizmit në të cilat besoj.

E di që këto gjëra rrallë fliten hapur, por besoj se është e drejtë që tifozët të dinë shpjegimin e vërtetë të asaj që ndodhi”.

Me këtë deklaratë, sulmuesi 32-vjeçar i vë një pikë përfundimtare periudhës së tij në Stamboll, ndërsa e ardhmja e tij tashmë duket e qartë: destinacioni i radhës do të jetë Como, ku do të bashkohet me ekipin e drejtuar nga Cesc Fàbregas.

Në këtë mënyrë, Morata largohet nga Galatasaray jo vetëm si një kapitull i mbyllur sportivisht, por edhe si një histori që hedh dritë mbi sfidat e raportit mes lojtarëve dhe klubeve në futbollin modern.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja Kejvina Kthella ditën e sotme e ka filluar mjaft…