
Mos bëni gara për klikime, trajtoni me kujdes viktimat, dëshmitarët dhe mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?
Nga Musa Sabedini
– Gara për të bërë klikime në emër të një tragjedie në Gjilan, jep mesazh të keq të mënyrës së raportimit nga mediet online në veçanti. E keqja është se në këtë garë po përfshihen edhe mediet qendrore të cilat po bijnë viktimë të medieve lokale jo profesionale. Viktimat duhet të trajtohen me dinjitet, sikurse edhe dëshmitarët dhe të dyshuarit derisa ndodhen në arrati. Policia dhe Prokuroria kur heshtin gjatë u japin hapësirë për spekulime medieve.
Tragjedia e sotshme në Gjilan, ku për pasojë mbeten të vdekur tre persona, po përcillet me tituj bombastik e sensacional nga ana e medieve online.
Tituj bombastik e sensacional të përcjellur me të dhëna, e detaje të parakohshme dhe joshja e lexuesit në rrjetet sociale, për të ngjallur me çdo kusht interesimin e tyre për të “pëlqyer”, një lajm nga kronika e zezë, janë dobësi profesionale dhe mungesë respekti dhe etike për viktimat dhe familjarët e tyre.
“Ekskluzive nga vendi i ngjarjes”, janë shumë tituj që po qarkullojnë nëpër medet qendrore, duke shtrembëruar ose dhënë informacione të pakonfirmuara nga ana e organeve zyrtare siç është policia dhe prokuroria.
“Ekskluzive: Këta janë dy viktimat e vrasjes së dyfishtë në Gjilan” ishte një titull i njërit nga portalet qendrore, duke ofruar të dhëna dhe foto për të dyshuarit.
“Viktimat janë: Selami Hasani rreth 67-vjeçar dhe Abedin Hoxha rreth 68-vjeçar”, ishte në titull tjetër që përshkruhej me të dhëna dhe detaje te parakohshme për ngjarjen.
“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse”.(David Randall).
Nuk ka më mirë se sa media ose gazetari të njihet ose të vlerësojë, pos Etikës dhe standardeve profesionale të gazetarisë, të njoh edhe aktet juridike që lidhen me Vrasjet, vrasjet e rënda, vrasja e kryer në gjendje të fortë mendore, vrasje nga pakujdesia, vrasja e foshnjës gjatë lindjes.
Jo rastësisht e përzgjodha këtë thënie të një gazetari me përvojë, i cili fuqishëm demonstron arsyen pse burimet janë të dobishme për punën e çdo gazetari apo mediumi, pse parimet dhe mënyra e raportimit për një ngjarje, ndodhi, tragjedi, aksident, zjarrëvënie, dhunim, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, krime të rënda, vrasje, tentim vrasje, afera të ndryshme e shumë vepra të tjera nga të cilat mund të kemi e të marrim shembuj të shumtë, duke specifikuar këtu edhe natyrën e krimit.
Për të jetuar me këto rregulla e parime etike, duhet patjetër që gazetari të jetë i përpiktë në mbledhjen dhe grumbullim të fakteve për secilin rast, të jetë afër ngjarjes, afër dëshmive, shumë afër të së vërtetës dhe të mos shpif apo spekulojë në asnjë rast të vetëm.
“Raportimi i rasteve të vrasjeve të rënda kërkon respektimin rigoroz të standardeve etike dhe profesionale, duke shmangur çdo formë senzacionalizmi apo gare për klikime. Mediat duhet të ofrojnë informim të balancuar dhe të verifikuar, duke mbrojtur dinjitetin e viktimave dhe duke mos ekspozuar identitetin e tyre apo të dëshmitarëve nëse kjo mund të shkaktojë dëm të mëtejshëm. Publikimi i detajeve makabre, fotove të ndjeshme ose informacionit të pakonfirmuar jo vetëm që dëmton integritetin e raportimit, por edhe mund të pengojë hetimet zyrtare. Përmbajtja duhet të kufizohet në faktet thelbësore dhe motivin e ngjarjes, pa spekulime, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve dhe duke siguruar që narrativa të mos nxisë paragjykime ose dhunë të mëtejshme”. (Allan, S., & Zelizer, B. (2004). Reporting War: Journalism in Wartime. Routledge.
UNESCO. (2021). Reporting on violence and conflict: Ethical guidelines for journalists. UNESCO Publishing.)
Nganjëherë mediet duke dashur të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe gabojnë me qëllim apo pa të dhe për t`i ikur këtyre defekteve ekzistojnë procedura, udhëzues nga më të ndryshmit e mbi të gjitha kritere e kode etike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.
Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online po vërehen defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen. Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda. Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, por seriozitetin dhe ndjeshmërinë e raportimit duhet ta respektojë në çdo situatë të ndërlikuar.
Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni.
Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.
Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehtë dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.
Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.
Raportimi për situatat e ndjeshme, pastaj raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë.
Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale dhe të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është pak e mundimshme në rrafshin profesional. Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve.
Natyrisht që secila media ose secili gazetarë do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim e ka gazetaria.
Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime. Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë.
Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?
Gazetari është një lloj hetuesi dhe këtu s`kam asnjë dilemë dhe i mbështesë hetimet në çfarëdo fazë, vetëm kur ato të jenë të besueshme dhe mirë të vërtetuara.
Por publikimi i rasteve me foto dhe të dhëna përcjellëse brenda 12 orëve është me rrezik për shumë palë të përfshira.
Pra bëhuni të kujdesshëm në verifikimin e çdo lajmi dhe materiali. Besoni zyrtarëve dhe hetuesve, por më shumë besoni dokumenteve të nënshkruara dhe vulosura dhe vëzhgimeve tuaja vetjake dhe të drejtpërdrejta.
Shprehja amerikane: “Edhe kur nëna të thotë të dua, verifikoje”?
Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: ”Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”. Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske.
Gazetari normalisht që duhet të ketë interesim për punën e tij dhe duhet t`i kushtojë shumë vëmendje edhe gjërave më të vogla.
Botimi i fotografive paralel me lajmin në mes të dhembshurisë dhe mesazhit përçues?
Shumë lajme në mediet kosovare postohen dhe përcillen edhe me foto, pak minuta ose pas aksidentit apo tragjedisë. Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale, të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.
Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.
Gjithmonë kemi dilema në pyetjet që parashtron fotografi Garry Bryant i “Desert News”, i cili ofron këtë listë të pyetjeve kur japim imazhe përcjell me lajmin:
- Ky moment a duhet të bëhet publik?
- A do t`u shkaktojë një traumë subjekteve të fotografuar?
-A jam në distancën e duhur për të mos u shqetësuar?
-A po veprojë me dhembshuri? (Philip Patterson, Lee Wilkins,“Etika në media, çështje dhe raste”.
Ne kemi obligim të kujdesemi për të gjitha detajet dhe elementet që raporti apo kronika të mos përshkruhen me shkelje drastike.
Mediet dhe reporterët që mbulojë sektorët problematik ose të ndjeshëm duhet ta zbatojnë në secilin rast që është e mundur Etikën dhe përherë të jenë në shërbim të interesit publik.
Në situatat kritike dhe të raportimit të mangët gjithmonë reagon edhe Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, i cili merret ekskluzivisht me të drejtat dhe gabimet që bëjnë mediet online.
Ekziston një udhëzues që i dedikohet mënyrës së raportimit për incidentet, aksidentet, të arrestuarit dhe të akuzuarit për veprat penale.
Në preambulën e KMSHK-së pika V janë të qartësuar në detaje “kufizimet”.
“Mediet e shkruara nuk do ta trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se diçka e tillë të konfirmohet nga Gjykata. Mediat e shkruara gjatë raportimit për incidente, aksidente apo vepra penale duhet të kenë parasysh prezumimin e pafajësisë për secilin të përfshirë dhe si të tillë duhet ta paraqesin në shkrim/raportim”.
Në librin tim dedikuar enkas situatave të ndjeshme dhe raportimeve delikate :”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, botuar në vitin 2023, kam prezantuar dhe analizuar në hollësi, të gjitha rastet dhe mënyrën e raportimit profesional për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.
Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT