Mos dilni jashtë deri në orën 16.00, e keni të ndaluar

24 mars 2020 | 10:27

Nga kjo kohë e deri në orën 16:00 qytetarët e Kosovës e kanë të ndaluar të dalin jashtë shtëpive e të lëvizin. Ky vendim është marrë nga Qeveria e Kosovës kundër përhapjes së koronavirusit.

Qarkullimi do të jetë i ndalur, po ashtu, edhe nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës të publikuar mbrëmë.

Por, një vendim i tillë është konsideruar kundër Kushtetutës së Kosovës nga presidenti Thaçi, nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa e shumë personalitete politike në Kosovë.

Presidenti Thaçi sot në orën 10.30 do të mbajë një konferencë për media, në të cilën do të tregojë se vendimin e qeverisë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Po ashtu, ai ka bërë me dije se qytetarët e Kosovës nuk janë të obliguar ta respektojnë vendimin në fjalë. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekzistojnë disa studime që bien dakord me hipotezën se COVID-19…