(Mos)deklarimi i pasurisë, mbi 60 kallëzime penale ndaj zyrtarëve publikë këtë vit

09 prill 2023 | 11:38

Mbi 60 kallëzime penale ndaj zyrtarëve publikë i ka dorëzuar këtë vit në Prokurorinë e Shtetit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Këto raste, kryesisht ndërlidhen me pasaktësitë e identifikuara gjatë verifikimit të deklaratave të pasurisë të dorëzuara vitin e kaluar. Ndonëse, vlerësohet se gjykatat po i trajtojnë më me prioritet rastet e marra nga Prokuroria, sipas monitoruesve të punës së institucioneve të drejtësisë, ka ende shumë për t’u bërë.

Drejtori i i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj bën të ditur se pas përfundimit të afatit për deklarim të pasurisë, i cili ishte i hapur deri në fund të marsit, janë rreth 4 mijë e 700 zyrtarë publikë që kanë deklaruar pasurinë për vitin 2022, ndërsa 20 zyrtarë publikë nuk e kanë shfrytëzuar këtë periudhë për të kryer obligimin.

Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetërorë në Kosovë, sipas Kodit Penal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, porse deri më tash në asnjë rast nuk ka pasur dënim me burg. Gjobat janë 30 për qind e pagës mujore deri në 500 euro.

Buleshkaj thotë se deri më tash nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë, pasi janë duke bërë verifikimin final të zyrtarëve publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë.

“Për vitin e kaluar e kanë deklaruar rreth 4 mijë e 700 zyrtarë publikë, të cilët kanë qenë të obliguar për deklarimin e rregullt të pasurisë. Përveç tyre, janë edhe rreth 20, të cilët nuk e kanë deklaruar me kohë, por jemi duke bërë verifikimin final, nëse ata në një formë tjetër nga ajo elektronike, e cila ka qenë kryesorja këtë herë… Deri më tani nuk e kemi shqiptuar asnjë gjobë. Jemi në procesin e verifikimit. Po besoj që ata që rezultojnë se nuk e kanë deklaruar pasurinë në asnjë formë, ne nga java e ardhshme do t’i shqiptojmë gjobat e para. Gjobat nuk janë të vogla, janë 30 për qind e pagës mujore deri në 500 euro”, thotë Buleshkaj derisa shton se sistemi elektronik e ka lehtësuar procesin.

Pas verifikimit të pasurisë dhe konstatimit se ka mospërputhje me atë çfarë është deklaruar dhe gjetjeve, Buleshkaj tregon se për periudhën nga 1 janar deri më 31 mars të këtij viti, kanë dorëzuar një numër të konsiderueshëm të rasteve në Prokurori.

“Ne këtë vit i kemi dorëzuar 60 raste në Prokurori, i cili nuk është numër shumë i madh, por është i rëndësishëm. Këto raste, kryesisht kanë rezultuar si rezultat i verifikimit të pasurisë që ka ndodhur në fundin e vitit të kaluar dhe pasi janë gjetur mospërputhje ka pësuar një proces I hetimit të këtyre rasteve dhe të gjitha ato që nuk kanë mundur të mbyllen për shkak të dallimeve të mëdha në deklarim të pasurisë, ne i kemi përcjell në Prokurorinë e shtetit për hetim”, thotë Buleshkaj.

Përkundër numrit të vogël të zyrtarëve shtetërorë që nuk e deklarojnë pasurinë, ushtrimit të detyrave nga APK dhe ngritjes së aktakuzave, dënimet e vogla dhe kryesisht me kusht nga ana e gjykatave sipas monitoruesve të punës së institucioneve të drejtësisë, po ndikojnë negativisht në rezultate.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se dënimet pa pasoja juridike nuk po e arrijnë efektin, për të cilin është miratuar Ligji për deklarimin e pasurisë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot parashihet të…