Mosekzekutimi i pagave, Haradinaj: AAK-ja do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar për dështimin e ekzekutimit të pagave në sektorin publik, duke vlerësuar se “janë shkelur rëndë të drejtat e njeriut”.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka kërkuar zgjidhje urgjente.
“Pagat që i bllokoi qeveria, mund t’i zhbllokojë vetëm Kuvendi. Situata e krijuar me mosrealizimin e pagave për sektorin publik, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe shpërfillje e skajshme e mijëra punëtorëve të këtij sektori. Kjo çështje kërkon zgjidhje urgjente. Rrugëdalja e vetme është thirrja me urgjencë e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të bëhej amandamentimi i Ligjit për shërbyesit civilë, që do të mundësonte një zgjidhje të menjëhershme, gjë që aleanca do ta kërkojë qysh sot. Çdo përpjekje tjetër, jo vetëm se është shkelje ligjore, por edhe keqpërdorim i të drejtës së patjetërsueshme që mbi 80 mijë njerëz të realizojnë të drejtën e tyre në pagë”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.